×
  • Lajme
  • Lajme / Foto

    Kurti ekspozon emblemat e sekuestruara pas sulmit në Ibër-Lepenc: Dëshmi e përfshirjes së grupeve ekstremiste serbo-ruse

    Reporteri
    07 Dhjetor 2024 | 17:43

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se pas sulmit ndaj kanalit të Ibër Lepencit, janë konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe janë gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë.

    Kurti ka thënë se ky zbulim të cilin ai e ka cilësuar si shqetësues, dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.

    “Pas bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me sulmin kinetik terrorist të datës 29 nëntor 2024 ndaj kanalit të Ibër Lepencit, janë konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe janë gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë. Ky zbulim shqetësues dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.

    Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon”, shkruan Kurti. /Reporteri.net/

    Një shpërthim që ndodhi të premten e kaluar në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut duke dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

    Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër-Lepencit dhe është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete, si dhe duke rrezikuar tejmase edhe furnizimin me energji elektrike. Kosova ka akuzuar Serbinë dhe ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që shteti serb të mbahet përgjegjës për këtë sulm, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Policia e Kosovës tha se në sulm janë përdorur 15-20 kilogramë eksploziv.

    Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se është e qartë që kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar dhe të cilët kanë njohuri dhe shkathtësi në përdorimin e mjeteve shpërthyese.

    Policia e Kosovës gjatë bastisjeve që pasuan ka konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

    Pas sulmit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

    Kurti ka deklaruar se “nuk mund të ketë adresë tjetër për fajësi për organizimin dhe orkestrimin e sulmit, përveç Beogradit zyrtar dhe strukturave kriminale me në krye Millan Radoiçiqin”, të cilat, ka shtuar ai, mbështeten nga institucionet serbe dhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

    Ai ka thënë se Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, “është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare atje”, të cilat, siç është shprehur ai, urrejnë Kosovën dhe popullin e saj./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!