Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës të organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë.
Ai me këtë rast ka thënë se në një kohë kur kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje, integrimi i Kosovës në institucionet Euro-Atlantike është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor, shkruan Reporteri.net.
Në këtë drejtim, kryeministri Kurti iu shpreh veçanërisht mirënjohës kryeministrit irlandez, Varadkar për mbështetjen e tij të zëshmen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.
Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova dhe Irlanda kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësore që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ai nënvizoi faktin që Irlanda ishte ndër vendet e para që njohu shtetin dhe shtetësinë tonë, qysh dymbëdhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë.
“Në më pak se dy muaj u realizuan dy vizita shtetërore bilaterale. Fillimisht vizita e Kryeministrit të Irlandës, Leo Varadkar në Prishtinë më 10 janar, dhe vizita e Kryeministrit Kurti në Dublin më 29 shkurt dhe 1 mars. Në këto takime, kryeministri veçoi se janë pajtuar që ta intensifikojnë bashkëpunimin në një numër fushash, sidomos në sektorin e teknologjisë, për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve. Ne në Kosovë e vlerësojmë dhe e çmojmë partneritetin tonë me Irlandën”, thuhet në komunikatën e qeverisë e cila citon Kurtin. /Reporteri.net/.