×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti iu drejtohet qytetarëve me një video-mesazh: Mos u brengosni, Kosovës nuk do t’i mungojë asgjë

    Reporteri
    29 Mars 2020 | 22:02

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi iu është drejtuar qytetarëve duke iu kërkuar respektimin e masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.


    Ai ka thënë se qytetarët nuk kanë nevojë të brengosen sepse nuk do t’iu mungojë asgjë të cilën e ka pasur më parë.

    “Kosovës nuk do t’i mungojë kurrë, as mielli, as ushqimet tjera dhe asgjë të cilën e kemi pasur më parë. Tregtia po vazhdon njësoj si më parë dhe nga doganat kemi informacion se mallrat që po hynë në Kosovë sa vijnë e shtohen. Mos blini më shumë se sa ju duhen, sepse do t’iu skadojnë pa u konsumuar. Qëllimi ynë është që ta ndalim përhapjen e virusit. Izolimi është masa e vetme që bota e ka për virusin në mungesë të vaksinës”, ka thënë ai, raporton KOHA.

    Kurti tutje ka shtuar se duhet kujdes i veçantë këto ditë, ku sipas tij, pritet që të ketë shtim të numrit të të prekurve.

    Ai tutje ka shtuar se kjo është situata më serioze që vendi ka pasur që nga lufta.

    “Këtë ditë do të hyjmë në muajin që sipas ecurisë që ka pasur ky virus do të mund të kemi shtim të të prekurve nga virusi, e pas këtij muaji do të mund të dalim nga kjo gjendje. Kjo pandemi po na mëson sërish ndjenjën e të qenit bashkë. Ne i kemi marrë masat kufizuese shumë më parë se sa vendet që sot po pësojnë nga ky virus. Që nga dita e parë kemi kërkuar që këtë situatë ta marrim me qetësi e pa panik. Kjo nuk do të thotë se situata nuk është serioze, në fakt kjo është situata më serioze që kemi pasur që nga pas lufta”, ka thënë ai.

    Kurti thotë se “si popull ne jemi testuar shumë herë se sa të fortë jemi përpara armiqve të dukshëm e të padukshëm. Të gjithë së bashku duhet të përgatitemi për atë që na pret ditëve e javëve në vijim”.

    Ai ka thënë se përveç shëndetit të njerëzve, koronavirusi ka prekur edhe ekonominë, prandaj sipas tij, duhet të përgatiten të gjithë për atë që do të vjen.

    “Gjendja është tërësisht nën kontroll. Sot na shtohet edhe besimi që kemi te zhvillimi i mjekësisë dhe të punonjësit e shëndetit publik. Mirëpo kjo nuk duhet të na çlirojë, duhet ta bindim vetën dhe secilin familjar të rrimë në shtëpi. E di se sa e vështirë është të jesh mbyllur, ky është një lloj burgu që rëndohet në stinën e pranverës, teksa rruga e lagjes apo qielli i kaltër ngjajnë si fotografi në dritare. Mirëpo nuk është vuajtje e madhe të kufizohet dalja për një muaj, merreni me humor, sot keni internet i cili iu lidh aq shumë pa lëvizur fare. Nëse dilni ju i rrezikoni familjarët e sidomos të moshuarit”, ka thënë Kurti.

    Ai tutje ka përmendur edhe masat të cilat janë marrë në pakon emergjente.

    Kurti ka shtuar se roli i solidaritetit mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare po shtohet gjithnjë e më shumë. Ai ka përmendur ndihmën monetare nga BE-ja dhe SHBA-ja.

    “Na ka marrë malli për kafe e makiato me shoqëri, por nuk duhet ta paguajmë atë në spital sepse është çmim i shtrenjtë”, ka thënë ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!