×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Jam i interesuar për marrëveshje, në Ohër shkoj me vullnet të mirë

    Reporteri
    17 Mars 2023 | 18:24
    Kryeministri Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë para ballafaqimit me presidentin Vuçiq në Ohër, ka thënë se në atë takim po shkon me vullnet të mirë.

    Kurti tha se është i interesuar për marrëveshje drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Lidhur me deklaratat e Vuçiqit se nuk do ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”, Kurti tha se kjo veçse ka ndodhur në Kumanovë në 99-ën.

    “Jam i interesuar për marrëveshje, shkoj me vullnet të mirë, me qëllime të mira dhe gjithashtu me besim të mirë që t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Ndërkaq në Ohër nuk mund të ketë kapitullim të Serbisë sepse kjo tashmë ka ndodhur në Kumanovë më 9 qershor 1999”, u shpreh Kurti në AlsatM.

    Tutje, kreu i ekzekutivit tha se qasja e Vuçiqit para takimit nuk i duket konstruktive.

    Lidhur me mundësinë për nënshkrim ose jo të marrëveshjes në Ohër, Kurti tha se pa nënshkrim nuk ka marrëveshje të plotë.

    “Edhe unë e dëgjova këtë deklaratë që refuzohet apriori refuzimi i një marrëveshje në Ohër. Unë nuk mendoj që kjo është qasje konstruktive dhe që dëshmon përkushtim. Nuk po them që nëse nuk ka nënshkrim atëherë kemi nënshkruar mosmarrëveshjen, por nuk mund të them se edhe pa nënshkrim mund të quhet marrëveshje me gjithë mend. Unë po e ritheksoj që do të jem i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe që shkoj me vullnet, qëllim dhe besim të mirë por natyrisht që këtë nuk mund ta garantoj edhe për palën tjetër”, ka deklaruar Kurti.

    Kujtojmë se sot, kryeministri Kurti priti në zyrën e tij, emisarin e ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria, bëhet e ditur se në takim u diskutua për ballafaqimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim.

    “Pas takimeve të shumta në Strasburg me udhëheqës dhe deputetë të Parlamentit Evropian, ku u vlerësua lartë progresi demokratik i Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, një ditë para takimit të radhës të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, priti në Prishtinë Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Bashkë me z. Escobar dhe ekipin e tij në takim ishte edhe zëvendësambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Alyson Grunder.

    U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim”, thuhet në komunikatë.

    Tutje, thuhet se Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

    “Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, përfundon komunikata. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!