×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / U çon ftesa

    ​Kurti kërkon takim me Abdixhikun dhe Hamzën për nënkryetarët e Kuvendit

    Reporteri
    09 Shtator 2026 | 14:57

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur se ka kontaktuar kryetarët e LDK-së dhe PDK-së për t’u takuar dhe arritur dakordim për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

    Kurti tha se për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët.

    “Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, e për këtë nevojitet dakordim. Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim. Le të jemi pozitivë e konstruktivë”, tha Kurti.

    Ai komentoi edhe deklaratën e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili gjatë propozimit të Sllavko Simiqit për nënkryetar të Kuvendit tha se këtë e bënte “në emër të popullit serb”.

    “Siç e tha edhe kryetarja e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës, me betimin që ai vetë e ka bërë dhe për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Sllavko Simiqin. Dikush nga grupi parlamentar tha që kjo mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mladiqit, i komandantit që masakroi boshnjakët. Nuk mund të votohet në Kuvend ai lloj propozimi që u deklarua, vetëm ai me shkrim”, tha Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!