×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti kundër rregullit, anashkaloi Ambasadën e Kosovës në SHBA kur i shkroi Zëvendës Presidentit, Mike Pence

    Reporteri
    06 Maj 2020 | 22:03

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka anashkaluar krejt Ambasadën e Kosovës në Uashington kur ka nisur letrën me në drejtim të Zëvendës Presidentit të SHBA-ve, Mike Pence. Në këtë letër, që nuk është ende publike, Pence njoftohet për zhvillimet politike në Kosovë por mediat thonë se përmban ankesa nga Kurti se ‘Presidenti Hashim Thaçi ka keq informuar Richard Grenell’, shkruan Reporteri.


    Mike Pence është në vlugun e angazhimeve këto ditë, rreth pandemisë që ka prekur fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë mbi 1 milionë njerëz janë prekur e dhjetëra mijëra kanë vdekur. Por, në mesin e shumë shkresave që me gjasë ka pranuar në zyre, numri dy i shtetit me të fortë në botë, aleat i Kosovës, ka pasur edhe një shkresë nga Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    Mediat raportuan se Kryeministri Kurti i ka shkruar një letër Zëvendës presidentit amerikan, Mike Pence në të cilën, përveç tjerash i ankohet atij se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka keq informuar Richard Grenell, Emisar special i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi.

    Letrën më pas e konfirmoi edhe Qeveria, por i mohoi ankesat.

    Kohëve të fundit Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në disa intervista vendore e ndërkombëtare kishte akuzuar Grenellin për ndërhyrje në punë të brendshme.

    Sulmin ndaj Grenell, Kurti e kishte nisur pikërisht në mediat ndërkombëtare, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në politikën e vendit dhe për ndihmë në rrëzimin e qeverisë së tij me qëllimin për të dhënë një fitore të shpejtë diplomatike për Trump.

    Por, përtej asaj çka shkruan në letër, e që pak detaje u thanë edhe nga zëdhënësi i Qeverisë, ka një veprim tjetër të Kurtit që bie në sy.

    Letra është dërguar direkt, ani pse praktikat e komunikimeve të tilla, pra praktikat ndërkombëtare, por edhe rregulloret e shtetit të Kosovës për shërbimin e jashtëm, kërkojnë që të njoftohet e koordinohet edhe Ambasada.

    Reporteri.net merr vesh nga burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme se një letër e tillë nuk ka kaluar përmes Ambasadës së Kosovës në Uashington. Atje detyrën e Ambasadores po e kryen ende Vlora Çitaku. Reporteri ka provuar të komunikojë me të, por kontakti ka qenë i pamundur. Çitaku është propozuar për shkarkim nga Ministri Glauk Konjufca.

    Ndonëse i fundit vendoste Presidenti, ajo doli dhe tha se refuzon të qëndrojë. Nga kjo ambasadë janë larguar edhe tre zyrtarë të tjerë të lartë. Kjo ka bërë që të mbetet Ambasada kryesore e Kosovës me shumë pak zyrtarë dhe atë në nivel jo politik.

    Burimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se përveç që është rregull thelbësor i komunikimit të tillë, një gjë të tillë pak a shumë e parasheh edhe legjislacioni i Kosovës në lidhje me diplomacinë.

    “Në bazë të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, të gjitha ministritë, agjencionet dhe institucionet obligohen që të bashkërendojnë aktivitetet e tyre me Misionin Diplomatik (Ambasadën) të akredituar të Republikës së Kosovës ne vendin përkatës”, ka thënë një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme.

    “Për më tepër, është një praktikë që e kanë ndjekur të gjithë kryeministrat e Kosovës që nga themelimi i Ministrisë dhe hapjes së ambasadave. Kjo është hera e parë që anashkalohet kjo procedurë”, ka thënë për Reporterin ky zyrtar i MPJ-së.

    Rregullorja për Shërbimin e Jashtëm te Kosovës 

    Reporteri.net ka pyetur edhe në Qeveri për këtë letër dhe procedurat që janë ndjekur.

    Zëdhënësi i saj, Përparim Kryeziu nuk është përgjigjur në pyetjet tona. Ai ka kërkuar që t’i referohemi postimit të tij, e që ai fliste për përmbajtjen e letrës së Kurtit.

    “Raportimi se Kryeministri Kurti i është ankuar Zëvendës Presidentit Pence për Ambasadorin Grenell është interpretim tendencioz dhe nuk përfaqëson përmbajtjen e letrës. Në letrën dërguar Zëvendës Presidentit Pence, Kryeminsitri Kurti e ka falenderuar atë për ndihmën financiare që SHBA-të i kanë ofruar Kosovës në ballafaqimin e saj me COVID-19 dhe ka shprehur krenarinë për të gjitha ata shqiptaro-amerikanë, pjesë e komuniteti mjekësor, të cilët po kontribuojnë në luftimin e pandemisë atje.

    Kryeministri Kurti poashtu e ka njoftuar Zëvendës Presidentin Pence lidhur me zhvillimet politike në vend dhe gatishmërinë e treguar nga Presidenti Thaçi dhe partitë opozitare për të vepruar kundër vullnetit të qytetarëve të shprehur qartë më 6 tetor 2019, dhe kundër parimeve kushtetuese dhe demokratike duke tentuar të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

    Kryeministri Kurti nuk është ankuar për Ambasadorin Grenell, por ka shprehur shqetësimin e tij mbi planet e Presidentit Thaçi për shëmbim territorial, eufemizën për ndarje të Kosovës, për të cilat nuk e ka informuar si duhet Ambasadorin Grenell. Raportimi se Kryeministri Kurti i është ankuar Zëvendës Presidentit Pence për Ambasadorin Grenell është interpretim tendencion dhe nuk përfaqëson përmbajtjen e kësaj letre.

    Presidenti Thaçi, përmes lobit të tij ka punuar që të imagjinohet se një realitet tjetër ekziston në Kosovë. Mirëpo ka një shpërputhje mes situatës së sajuar ku dialogu kinse tashmë ka përfunduar dhe vetëm pritet nënshkrimi i marrëveshjes, dhe realitetit ku së pari duhet dialog për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura e ku nuk mund të ketë shkëmbime territorial, përkatësisht ndarje të Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!