Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e sotëm në Bruksel, pala serbe nuk kishte paraqitur një propozim për zbatimin me sekuencim të Marrëveshjes Bazë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Siç tha Kurti, kur e kërkoi ta shihte propozimin, atij iu dha një i vjetër, që paraqet një dokument të kushtëzimit nga ana e Serbisë, që para se të vazhdohet me zbatimin e Marrëveshjes, fillimisht duhet të themelohet Asociacioni.
“Nuk ka mundur të ketë kompromis meqenëse nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër. Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sillnin”.
Borrell: Kurti s’e pranoi Asociacionin, insistoi në njohjen de-facto
“Vetëm pas përfundimit të takimit mu dha një dyfaqësh në anglisht dhe serbisht i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj. Që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyesi i sekuencuar si propozim i palës serbe por që ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni, pra ajo marrëveshja e para dhjetë vjetëve, e më pastaj eventualisht do të mund të kalojmë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje bazë”.
Kurti tha se, një kushtëzim të tillë, nuk e pranon. Madje shtoi se nuk ishte një dijeni për një kushtëzim të tillë, që “njëherë Asociacioni, pastaj shohim”.
“Mua m’u desht t’u them që nuk është marrëveshja e vitit 2013. Qartë, neni dhjetë i marrëveshjes bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të cilat janë të obligueshme dhe valide. Por nuk mundet nga 39 marrëveshje të përzgjedhet vetëm një dhe të vendoset si qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, deklaroi Kurti.
Ndërsa ai shprehu keqardhje që Lajçak e ka pranuar këtë kushtëzim të Serbisë.
“Është për të ardhur keq se pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime, shkaktohet njëfarë lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu. Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar propozimin e Serbisë”.
Megjithatë, Kryeministri shtoi se Kosova bëri një propozim, e që tha se s’u mor parasysh.
“Është për të ardhë keq se pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime, shkaktohet njëfarë lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu”. /Reporteri.net/.