×
  • Lajme
  • Lajme / Mbledhja e Qeverisë

    Kurti liston “10 sukseset” e qeverisë së tij për këtë vit, ministrave u kërkon t’i gjejnë nga 5 e t’ua tregojnë qytetarëve

    Reporteri
    27 Dhjetor 2024 | 13:02

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë ka listuar 10 të arriturat e Qeverisë së tij përgjatë këtij viti.

    Kurti të parën e ka përmendur liberalizimin e vizave për kosovarët nga BE-ja, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani si dhe njohjen e pasaportave të Kosovës nga dy shtete mosnjohëse, Spanja dhe Armenia.

    Tutje si arritje të dytë, Kurti përmendi inkasimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit e konvertimin e patentë shoferëve ilegal në ato RKS.

    Tutje Kurti ka përmendur edhe shkëputjen nga blloku energjetik me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe bashkimin me bllokun energjetik bashkë me Shqipërinë.

    Shëndetësia publike është renditur si arritja e katërt duke përmendur këtu edhe ligjin për Çmimin e Unifikuar të Barnave.

    Rritja e pensioneve për 30 për qind është listuar si arritja e pestë për këtë vit nga kryeministri Kurti, e më pas siç tha ai dyfishimi e trefishimi i shtesave për fëmijë, e ndarja e njëhershme nga 100 euro për mbi 400 mijë fëmijë deri në 16 vjeç, është renditur si arritja e gjashtë.

    Si e shtata arritje  siç i ka cilësuar kryeministri është renditur rritja e pagës minimale që tha se u bë pas 13 vjetësh si dhe rritja e pagave në sektorin publik qe do të bëhet në dy faza, në janar e qershor të vitit që vjen me nga 55 euro në secilën fazë.

    Tjetër të arritur kryeministri e listoi funksionalizimin e Institutit për Dokumentimin e Krimeve gjatë Luftës që tha se gjatë këtij viti ka grumbulluar materiale të shumta fizike arkivore e digjitale, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës. Nënshkrimin e kontratës për hartimin e mastar planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari dhe vendimin për themelimin e Muzeut të Gjenocidit.

    Si arritje e nëntë nga kreu qeveritar është renditur procesi i regjistrimit të popullsisë që tha se u krye me sukses duke e quajtur një ndërmarrje të jashtëzakonshme institucionale e tejet të rëndësishme për vendin.

    Kjo top dhjetëshe e prezantuar nga kryeministri Kurti përmbyllet me nënshkrimi e kontratës me prodhuesin shtetëror turk për funksionalizimin e fabrikës së municioneve.

    “Krahas rritjes së numrit të ushtarëve, fuqizimit të ushtrisë dhe blerjes së armatimeve, bëmë edhe një hap të madh në vendosjen e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes duke nënshkruar kontratë me prodhuesin shtetëror turk MKE, për funksionalizimin e fabrikës së municioneve”, tha ai.

    Kryeministri u ka bërë thirrje të gjithë  ministrave të tij që të bëjnë listimin e top pesë arritjeve të secilit në dikasteret që drejtojnë e të njëjtat t’i prezantojnë para qytetarëve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!