×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti në Gjermani: Kërkova ta nxjerrin Kosovën nga kriza dhe ta vendosë në binarët e zhvillimit

    Reporteri
    12 Shtator 2019 | 12:05

    Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, njëherit kandidat i kësaj partie për kryeministër, i cili po qëndron në Gjermani ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në panel me deputetin e SPD-së gjermane, Josip Juratoviq.


    Ai thotë se në këtë panel u përqendrua në zotimin tonë për luftimin e korrupsionit dhe krimit si dhe vetingun në prokurori, gjyqësor, polici, por jo vetëm.

    Kurti më tej thotë se për t’i luftuar këto probleme ka kërkuar ndihmën ndëkombëtare, e sidomos përkrahjen e BE-së e të miqve gjermanë, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i Kurtit:

    Nën organizimin e Aspen Institute dhe Friedrich Ebert Stiftung mbrëmë isha në panel me deputetin e SPD-së gjermane, Josip Juratoviq, nën moderimin e organizatorëve z.Daniel Reichart dhe znj.Valeska Esch. Para një audience të respektueshme, të përbërë nga politikanë, deputetë, diplomatë e ish diplomatë, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme dhe studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, diskutimi u zhvillua sipas rregullave Chatham House.

    Pas prezantimeve 15 minutëshe u debatua hapur me të pranishmit mbi temat dhe çështjet e ndryshme, prej ndotjes së mjedisit te dialogu me Serbinë te vullnetarët e majtë që duan ta ndihmojnë VETËVENDOSJE!-n për fitoren me 6 tetor.

    Fjalimi im u përqendrua në zotimin tonë për luftimin e korrupsionit dhe krimit si dhe vetingun në prokurori, gjyqësor, polici dhe inteligjencë, për investimet e nevojshme në ekonomi që rrisin punësimin, për urëzimin e hendekut të shkathtësive duke lidhur sistemin arsimor me tregun e punës, për integrimet evropiane të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit perëndimor etj.

    Theksova që Kosova vetë nuk është problem, por se ajo ka shumë probleme. Se qeveria jonë do ta nxjerrë Kosovën nga kriza dhe do ta vendosë atë në binarët e zhvillimit, dhe, se për këtë kemi nevojë për ndihmën ndëkombëtare, e sidomos përkrahjen e BE-së e të miqve gjermanë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!