×
  • Lajme
  • Lajme / Koordinim me ShBA-në

    Kurti në telefon me Këshilltarin e Biden: Kërkova ndihmë të shtuar kundër planeve luftarake të Serbisë

    Reporteri
    29 Shtator 2023 | 22:53

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin për Siguri Kombëtare në Administratën Biden, Jake Sullivan.

    Siç njoftoi Kryeminstri, ata të dy biseduan për çështjen e sigurisë në kufi me Serbinë, për çka Kurti e ka falënderuar ShBA-në për mbështetje, shkruan Reporteri.net.

    Mirëpo ai ka kërkuar nga Këshilltari i Biden që të ndihmohet Kosova karshi planeve destruktive të Serbisë për luftë.

    “Telefonatë inkurajuese me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan. E falënderova për mbështetjen e ShBA-së për sigurinë kufitare të Kosovës dhe kërkova rritje të shtuar ndaj planeve të Serbisë për luftë. E sigurova për vazhdim të bashkëpunimit të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e vendit është i paluhatshëm”, shkruan Kurti, për telefonatën.

    Ndonëse ende pa një konfirmim zyrtar, gazetari amerikan, Nick Schifrin ka treguar se Jake Sullivan ka telefonuar edhe Presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

    Ndërkohë, Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Ëashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

    “Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

    Ai tha se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!