Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për vendimet që janë marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë.
Ndër vendimet që është marrë sot është edhe ai për rialokimin e 4.5 milionë eurove në 25 projekte kapitale të ndryshme nëpër komuna në përputhje me 25 marrëveshjet e mirëkuptimit për projekte kapitale të nënshkruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunave dhe donatorëve, shkruan Reporteri.net.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të Kurtit:
Në mbledhjen e 260-të morëm disa vendime për emërime në pozita të larta drejtuese dhe formim të komisioneve të përkohshme me qëllim përmbylljen e proceseve rekrutuese të cilat kanë filluar para datës 22 mars 2025 – pra kur qeveria jonë ka kaluar de jure qeveri në dorëheqje. Këto emërime përfshijnë:
– Drejtoren Ekzekutive në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur;
– Drejtoren e Përgjithshme të Inspektoratit të Arsimit;
– Drejtoren Ekzekutive në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës;
– Kryeinspektorin e Inspektoratit Qendror të Shëndetësisë;
– Komisionin e Ankesave për Shtetësi;
– Komisionet ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim në Pozitën e lartë të Kategorisë Drejtuese, përkatësisht për Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Qendrore të Prokurimit dhe Drejtor Ekzekutiv në Thesarin e Kosovës.
Ndër të tjera vendime që morëm sot ishin:
– Rialokimi i 4.5 milionë eurove në 25 projekte kapitale të ndryshme nëpër komuna në përputhje me 25 marrëveshjet e mirëkuptimit për projekte kapitale të nënshkruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunave dhe donatorëve;
– Miratimi i Planit të rishikuar të Veprimit 2025-2026 për zbatimin e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026, përmes së cilit synohet të rritet autonomia lokale dhe të ofrohen shërbime me kosto efektive nëpër komuna.