Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë së kaluar për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë.
Kurti ka thënë se pa ligj, pa studim fizibiliteti, pa dëgjim publik, pa plan zhvillimor komunal, me shpronësim pronash private, e në kundërshtim me Koncept-planin kombëtar për zhvillimin e zonave ekonomike që parashihte Mitrovicën e Gjakovën, por jo edhe Malishevën, kjo ishte një zonë e shkeljeve aspak ekonomike, për çka sipas Kurtit Malisheva nuk e meritonte një përçmim të tillë.
“Kësisoj, bashkë me këtë anulohen edhe vendimet për shpronësimin e pronave të paluajtshme që prekën nga kjo Zonë. Pa ligj, pa studim fizibiliteti, pa dëgjim publik, pa plan zhvillimor komunal, me shpronësim pronash private, e në kundërshtim me Koncept-planin kombëtar për zhvillimin e zonave ekonomike që parashihte Mitrovicën e Gjakovën, por jo edhe Malishevën, kjo ishte një zonë e shkeljeve aspak ekonomike. Malisheva nuk meriton këso përçmimi”, ka shkruar Kurti.
Kujtojmë se në mbledhjen e mbrëmshme korresponduese, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për anulimin e vendimeve të Qeverisë për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë dhe vendimet për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga themelimi i kësaj zone në zonat kadastrale të Banjës, Bellanicës dhe Senikut të Malishevës.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se këto vendime janë në kundërshtim me Ligjin. /Reporteri.net