×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti për televizionin malazez: Serbia ka afat deri në pranverë që ta njohë Kosovën, kështu thotë ujdia e fundit

    Reporteri
    25 Nëntor 2022 | 21:29
    © Armend Nimani/AFP/Getty Images

    Kryeministri Albin Kurti thotë se javën e ardhshme ose shumë shpejtë javët në vijim pritet të fillojnë negociatat me Serbinë për njohje reciproke. Kjo njohje sipas tij duhet të ndodhë më së largu në pranverën e vitit të ardhshëm.

    Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që të kujton atë në mes të dy Gjermanive pas Luftës së Dytë Botërore, duhet të mundësojë integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për televizionin malazez Gradska, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Negociatat me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç thekson ai, bazohen në ofertën e Bashkimit Evropian, me mbështetje nga Berlini e Parisi.

    “Që nga 9 shtatori i këtij viti, ne kemi një model në të cilin do të mbështetemi gjatë negociatave tona të ardhshme, të cilat duhet të fillojnë menjëherë. Në fakt thuhet se brenda pak ditësh, deri në pranverën e ardhshme, duhet të kemi një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Në ndërkohë u pajtuam që Kosova të mos vazhdojë me gjoba për veturat me targa të paligjshme KM dhe të tjera nga koha e sundimit të Millosheviqit. Serbia nuk do të lëshojë më targa të tilla dhe ne po i japim mundësinë, një hapësirë ​​disamujore, si masë për besimin reciprok, për të arritur këtë marrëveshje, e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin tonë”, ka theksuar Kurti.

    Sipas Kurtit Kosova është një vend normal, Serbia jo.

    Ai theksoi se pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës u bë shtet normal, por Serbia nuk ishte dhe se, siç thotë ai, ishte çështje e popullit serb.

    “As marrëdhëniet tona nuk janë normale. Normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtarisht dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar”, ka thënë Kurti, transmeton Reporteri.net.

    Serbia, shton ai, ka pranuar edhe hapjen e negociatave që do të bazohen në ofertën e Brukselit, e cila mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA. Plani, thotë ai, është që javën e ardhshme ose javët në vijim të organizohet një takim në Bruksel, ku do të fillojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve.

    Problemi, sipas Kurtit, është të besohet nëse Aleksandar Vuçiq do ta respektojë marrëveshjen.

    “Nga 33 marrëveshjet e arritura nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, Serbia nuk i ka realizuar apo zbatuar dy të tretat e atyre marrëveshjeve. Ne kemi përvojë të hidhur me Serbinë në kuptimin që nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjeve janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme”, thekson Kurti.

    Ai beson se nuk do të jetë e lehtë, por as e pamundur.

    “Tani kemi si garanci Brukselin, Parisin, Berlinin dhe Uashingtonin. Prandaj ne e shohim këtë deklaratë si një hap progresiv pozitiv në drejtimin e duhur”, tha Kurti.

    Ai thekson se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës përmban elemente të marra nga modeli i dy Gjermanive, i cili mundësoi anëtarësimin e tyre në organizatat ndërkombëtare.

    “Por, duke marrë parasysh situatën me Kinën dhe Rusinë, të cilat nuk janë vende demokratike dhe që janë në tension të madh me Perëndimin demokratik dhe kanë të drejtën e vetos, nuk është shumë racionale të pritet që ato të ndryshojnë mendimin e tyre edhe për një kohë”, beson Kurti.

    Krahas marrëveshjeve mes dy vendeve, shton ai, është e nevojshme edhe përballja me të kaluarën.

    “Pra, Willy Brandt nuk e nisi Ostpolitik në fillim të viteve 70 me një marrëveshje dhe negociata, por duke shkuar në Varshavë. Mendoj se në Serbi është shumë e rëndësishme që të ndodhë një përballje e tillë me të kaluarën. Është mirë për të tashmen tonë, por edhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Kurti.

    I pyetur nëse ka ndokush në Serbi sot që do të bënte një gjest si kancelari gjerman i atëhershëm Willy Brandt – i cili u gjunjëzua para monumentit të viktimave hebreje të Holokaustit, Kurti thotë:

    “Në Serbi sigurisht që ka njerëz të tillë, por ata janë individë dhe nuk kanë hapësirë për veprim. Ata nuk kanë forcën dhe fuqinë që vjen me pushtetin, pra janë në opozitë dhe janë në opozitë jashtëparlamentare. Tani ndoshta do të duhet pak kohë, por po jetojmë në kohë të vështira dhe të çuditshme”, ka theksuar kryeministri i Kosovës.

    Pa u përballur me të kaluarën dhe pa u distancuar nga Millosheviqi dhe Putini, Serbia nuk mund të zgjedhë komunitetin evropian.

    Marrëveshja reciproke për njohjen dhe normalizimin e marrëdhënieve nënkupton se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por edhe se nuk do të mbështesë një ulëse në Kombet e Bashkuara. Megjithatë, shton ai, gjërat janë ende të hapura sepse negociatat do të fillojnë.

    “Jam i bindur se Serbia do të donte që këto negociata të zgjasin nja dy vjet, derisa të ndryshojnë kushtet botërore dhe nuk e kam fjalën vetëm në SHBA, por edhe në Evropë. Ky është një këndvështrim i ekstremit të djathtë për jetën dhe botën, dhe mendoj se në Serbi, rolin kryesor këtu nuk e ka presidenti Aleksandër Vuçiq, por Kisha Ortodokse Serbe, e cila është e lidhur ngushtë me Moskën, Universitetin e Beogradit dhe mediat, të cilat janë më shumë të lidhura me Rusinë sesa me pushtetin politik. Mendoj se ata kontrollojnë diskursin e Serbisë.
    Edhe pse shprehet optimist, Kurti thekson se normalizimi i plotë duhet të përfshijë edhe drejtësinë tranzicionale, pa të cilën, shton ai, nuk mund të ketë pajtim. Dhe drejtësia, thotë ai, nuk arrihet vetëm në gjykatë.

    “Por kjo po ndodh edhe në opinionin publik dhe në faktin se për këtë flasin politikanët, intelektualët dhe shoqëria civile. Dhe në atë mënyrë distancohen nga regjimi i Millosheviqit dhe nga krimet që ai ka bërë gjatë luftës në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë”, shpjegon Kurti.

    Si përkujtim të vrasjeve politike të Ivan Stamboliqit, Zoran Gjingjiqit dhe Oliver Ivanoviqit, Kurti thotë se Serbia nuk ka të ardhme evropiane pa u distancuar nga Millosheviqi, por edhe nga Rusia zyrtare, pra siç thekson ai, presidenti despotik Putin.

    Ndryshe, Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë sot se janë palët ato që caktojnë afatin për marrëveshjen finale.

    “Kur flasim për urgjencë; dita e djeshme duket tashmë tepër vonë, sepse kjo situatë vazhdon më shumë se prej 10 vjetësh dhe kjo nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Në vend që të përcaktojmë afate artificiale, ne po ndihmojmë palët, pasi janë palët që vendosin se kur do të jenë gati të arrijnë datën përfundimtare për arritën e marrëveshjes gjithëpërfshirëse lidhur me normalizimin e marrëdhënieve midis tyre dhe për të ecur përpara. Për të ecur përpara nga metoda e menaxhimit permanent të krizës te metoda e pajtimit. Nuk jemi ne që përcaktojmë afatet. Afatet janë krejtësisht në duart e palëve, në përfitimin e qytetarëve të tyre dhe Bashkimi Europian do bëjë çdo gjë që mundet që palët të gjejnë kompromisin. Por u takon palëve që të gjejnë kurajon për të arritur në kompromiset e nevojshme me frymën europiane”, ka deklaruar Stano./Reporteri.net

    BE s’jep datë për marrëveshjen, Stano: Kjo u takon palëve, s’vendosim afate artificiale

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!