Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përmbledhur aktivitetet që Qeveria zhvilloi për të shënuar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Përmes fotografive, ai ka listuar kronologjikisht kremtimet për festën e Pavarësisë, që filluan me mbledhje festive të Qeverisë e përfunduan me ndezjen e qirinjve për fëmijët e vdekur dhe të zhdukur të luftës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Postimi i plotë:
15-vjetorin e Pavarësisë e nisëm me mbledhje festive të Qeverisë, sepse puna dhe festa për Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë.
E vazhduam me homazhe dhe nderime në Prishtinë dhe në Prekaz, për prijësit tanë, heronjtë e heroinat, të rënët e martirët, sepse pa përpjekjen dhe sakrificën e tyre nuk do ta kishim të tashmen e me shembujt dhe idealet e tyre duhet të ecim drejt të ardhmes.
Nderuam kujtimin e 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës, sepse na mungojnë shumë dhe nuk i harrojmë kurrë.
U takuam në mes vete e mirëpritëm përfaqësues të shteteve mike në Kuvend, sepse aty u shpall dhe aty duhet ta ruajmë Republikën.
Pamë nga afër parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, sepse Kosova është histori suksesi që duhet të mbrohet përjetësisht.
E gjatë gjithë ditës i uruam njëri-tjetrin republikën e për republikën, sepse sot kemi festë.
Gëzuar të gjithëve 17 Shkurti dhe urime 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës!
Sot, nesër, përjetë.