Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Sipas komunikatës, marrëdhëniet bilaterale dhe çështjet aktuale ishin temë e diskutimit. Diskutimi u fokusua edhe në hapin e radhës drejt anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshill të Evropës dhe rëndësinë që anëtarësimi në këtë organizatë sjell në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave përmes qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg.
Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar si shtet themelues i Këshillit të Evropës, aleat dhe partner i Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.
Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.
Hapi i radhës do të jetë më 16 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë. Më pas, gjatë muajit maj, trajtohet nga Komiteti i Ministrave, dhe Kosova pret që raporti të miratohet me 2/3 e ministrave të Punëve të Jashtme./Reporteri.net/.