×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Prioritet i Qeverisë është edukimi i hershëm i fëmijëve

    Reporteri
    19 Nëntor 2021 | 17:10

    Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve u mbajt takimi i Komitetit Ndërministror për të Drejta të Fëmijëve, kryesuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    “Ne duhet të qëndrojmë pas planeve tona praktike dhe konkrete për të mbrojtur fëmijët tanë – një premtim nga brezi ynë për brezin tjetër, për të investuar në arsim e shëndetësi, për të ndërtuar sisteme dhe shërbime që arrijnë të gjithë fëmijët”, tha kryeministri Kurti në hapje të takimit.

    Ai theksoi përkushtimin për të zbatuar zotimet nga Programi qeverisës, në përputhje me zotimet globale për arritjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm (SDGs), dhe në funksion të zbatimit dhe respektimit të parimeve demokratike dhe të drejtave të fëmijëve, siç janë shpallur në Konventën për të Drejtat e Fëmijës dhe përcaktimit të tyre në politikat dhe legjislacionin vendor.

    Kurti tha se prioritet i Qeverisë është edukimi i hershëm.

    Sipas tij, me Projektligjin për buxhetin e vitit 2022, i cili u miratua në Qeveri javë më parë, do të fillojë ndërtimi i 50 çerdheve në tërë vendin, që fëmijët të kenë kujdesin e duhur.

    “Përveç arsimit të përgjithshëm e profesional, kryeministri theksoi se duhet të nxiten vetitë speciale. Duhet të nxiten vatrat kulturore, qendrat sportive dhe klubet që kanë për qëllim zhvillimin e hershëm te fëmijët. Për të zvogëluar hendekun në mes të kërkesave të tregut të punës dhe edukimit, për maturantët e shkollave të mesme do t’u ndahen 2.000 kuponë me vlerë deri në 600 euro për të ndjekur kurse të Teknologjisë Informative. Në bashkëpunim me UNICEF, Bankën Botërore, Save the Children dhe CARITAS Zviceran, MASHTI ka mbështetur 8123 fëmijë nga komunitetet dhe familjet me asistencë sociale me paketa didaktike”, thuhet në njoftim.

    Bazuar në Programin e Qeverisës 2021-2025 mbështetja për familjet në gjendje të rëndë sociale dhe fëmijët është prioritet i cili tani më ka filluar të zbatohet si në legjislacion, ashtu edhe me anë të masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht me shtesat për fëmijë dhe shtesat për lehonat. Në muajin tetor, janë ekzekutuar mjetet për afro 95 mijë përfituese nga këto skema, dhe me trendin që po e shohim këtë muaj, interesimi për të përfituar nga këto skema është edhe me i lartë.

    Po ashtu, si pikë e rëndësishme u veçua trajtimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara. Si fillim, për vitin e ardhshëm është ndarë buxhet për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara.

    Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Ministria e Financave Punës dhe Transfereve ka ofruar mbështetje financiare në vlerë prej 900.000,00 euro, për mbështetje të 39 OJQ-ve të licencuara në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare.

    “Me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve janë planifikuar të krijohen Shtëpi për Mbrojtjen e Fëmijëve, për të cilat MFPT tani me ka marrë iniciativat për ndërtimin e tyre dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm përmes ndryshimeve të Ligjit të Financave të Pushtetit Lokal dhe krijimit të Grantit të Veçantë për Shërbime Sociale. Krahas prezantimit të rezultateve dhe të arriturave të Qeverisë, takimi i sotëm ishte ftesë për diskutime konstruktive, dhe plane konkrete drejt përmbushjes së objektivave strategjike qeveritare dhe përmirësimit të tregueseve për të drejtat e fëmijëve”, thuhet në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!