×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Mundësia e fundit për Qeverinë VV-LDK u pre nga shpata e gjatë e Bradashit

    Reporteri
    25 Mars 2020 | 22:40

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti disa minuta para se të votohet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së tij, ka thënë mundësia e fundit për t’u marrë vesh me LDK-në sonte u pre nga siç është shprehur “shpata e gjatë e Bradashit” duke aluduar në Agim Veliun.


    Kurti ka thënë se ajo çka ka vërejtur nga bashkëpunimi i deritashëm me LDK-në është se vendimmarrjen në LDK e kanë ata që shkuan për ta takuar Grenellin, duke aluduar këtu në Zëvendëskryeministrin, Avdullah Hoti, ish ministrin Agim Veliu dhe Skender Hysenin, shkruan Reporteri.net.

    Kurti ka thënë se pas takimit që kishin në Berlin me Grenell, të tre këta morën shumë fuqi, gjë që reflektoi edhe në qeverisjen e tij.

    “Dua ta falënderoj luftëtarin Anton Qunin që e shtriu dorën e dialogut. Ato tri elemente që kanë qenë si kushte janë çështje të dialogut që të merremi vesh por më vjen keq që kjo dorë e dialogut u shpreh me shpatën e gjatë të Bradashit. Vendimmarrja e LDK-së është në Prapashticë, e Bradash nuk është këtu. Unë po jua them hapur bindjen time  nga bashkëpunimi me LDK-në, e kjo është që vendimarrjen në LDK e kanë ata që shkuan ta takojnë Grenellin. Hoti, Veliu e Hyseni  kanë marrë shumë fuqi nga ky takim, e kjo ka reflektu edhe në qeverisjen time. Fuqia vendimmarrëse duhet të vijë vetëm nga populli, e jo nga lartë. Legjitimiteti vjen nga populli. Më vjen keq që nuk mund ta bëjmë dialogun sepse pa u bë 10 minuta, ai pritet”, u shpreh ndër të tjera Kurti.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!