Kryeministri Albin Kurti ka bërë sot me mëngjes homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz së bashku me kabinetin qeveritar.
Ai ka thënë se Prekazi është vend i flijimit dhe bashkimit, por edhe se nga duhet të shkojë shteti ynë.
Kurti ka pohuar se rënia e Jasharajve ngriti popullin shqiptar në këmbë dhe zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare.
“Sot në ditën e parë të punës me zv.kryeministrat erdhëm në Prekaz këtë vend të flijimit e bashkimit, ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, mirëpo rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare e cila më 24 mars të vitit 1999 dërgoj Aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjenocidal si Serbia e Millosheviqit”, tha Kurti, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se drejtësia për krimin e Serbisë në Prekaz ende nuk është vënë në vend.
“I kujtojmë me shumë mendje e mall, Shaban, Hamëz, Adem Jasharin dhe gjithsej 59 anëtarët e kësaj familje, gjysma e të cilëve ishin gra e fëmijë. Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend, ashtu si edhe për shumë dëshmorë e martirë të tjerë anembanë Kosovës. Gjaku i tyre nuk humbet, kurrë, ermi i tyre nuk harrohet kurrë, kthehemi e rikthemi në Prekaz nga vijmë e për ta ditur më mirë nga duhet të shkojmë”, deklaroi Kurti. /Reporteri.net/.