×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti sot takohet me Vuçiqin në Bruksel

    Reporteri
    19 Korrik 2021 | 7:05

    Qeveria e Kosovës, e ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti sot do të udhëtojë për në Bruksel për tu takuar përsëri me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.


    Ky takim pritet të mbahet pasditen e sotme, ndërsa të pranishëm pritet të jenë ndërmjetësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

    Zyra e Kryeministrit ka thënë që i pari i ekzekutivit do të kthehet në Prishtinë posa të përfundojë vizitën në kryeqendrën evropiane, shkruan Reporteri.net.

    E në Bruksel shefi i qeverisë kosovare do të takohet përsëri me presidentin serb, Aleksandër Vuciq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

    E njohësit e procesit të dialogut, kanë pritshmëri minimale nga ky takim.

    Në takimin e parë të nivelit të lartë në kuadër të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti paraqiti katër propozime: Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Pas njohjes së ndërsjellët midis Kosovës dhe Serbisë, në të dy vendet të ketë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave, që serbët në Kosovë të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Ndërsa si propozim i fundit, Kurti kërkoi dorëheqjen e Veljko Odaloviqin nga delegacioni serb për të pagjeturit.

    Përveç këtij takimi të nivelit të lartë, javën e kaluar është mbajtur edhe takimi i dy delegacioneve të nivelit të ekspertëve.

    Ndërkohë, Petar Petrkovic, drejtori i ashtuquajturës Zyra Për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të dielën deklaroi se pala serbe në këtë takim, do të insistoj në formimin e Asociacionit e Komunave me Shumicë serbe në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!