Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot gjatë ditës kanë pritur në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Sipas njoftimit për media nga Zyra e Kryeministrit, Kurti, ka theksuar se veprimet e fundit të Presidentit, Hashim Thaçi, janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik.
Ai tutje ka shtuar se “si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar”.“Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë”, citohet të ketë thënë Kurti.
Ndërkohë, Ambasadorët e vendeve të QUINT’it kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për media, pas takimit që kanë pasur sot me presidentin e vendit, Hashim Thaçin.
Me anë të kësaj deklarate të përbashkët, nga ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, kanë bërë të ditur se në takimet që i bëjnë me udhëheqës të vendit vetëm i dëgjojnë pikëpamjet e tyre.