Mbrëmë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti publikoi pamje të ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, në Kamenicë, e siç tha ai ata ikën sapo panë që po xhiroheshin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Por, Ministria e mbrojtjes serbe thotë se “autoritetet e sigurisë”, kanë ndërprerë “kontrabandën me drunj të prerë ilegalisht”.
Në komunikatën e lëshuar për media, Mininistria e Mbrojtjes së Serbisë thotë se Kurti po dezinformon kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”.
“Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, është ndaluar një aktivitet ilegal i bartjes së drunjëve në territorin e Kosovës, dhe se sipas tyre hajdutët kanë ikur në Kosovë.
“Autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”, është thënë në reagim.
Kurti mbrëmë tha se këto lëvizje provokuese të ushtrisë serbe kanë për synim nxitjen e tensioneve.
Kurti ka thënë se Qeveria ka investuar në ngritjen e kapaciteteve për të parandaluar çdo kërcënim.
“Serbia sot ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës. Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve.
Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, kishte thënë mbrëmë Kurti në një postim të bërë në Facebook.
/Reporteri.net/