×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Thaçit i ka ikur treni, duke u munduar të më rrëzojë mua, do ta rrëzojë veten

    Reporteri
    22 Prill 2020 | 20:49

    Kryeministri i vendit, Albin  Kurti në një konferencë për media ka folur për takimin e sotëm të presidentit Thaçi me krerët e partive politike në vend, takim ky pas së cilit Thaçi tha se mandatin do t’ia japë partisë që e ka shumicën për ta formuar Qeverinë e re.


    Kurti ka thënë se çdo veprim i Thaçit në këtë drejtim do të përfundojë në Kushtetuese, ngase paraqet tejkalim të kompetencave të tij si president, shkruan Reporteri.

    “Formalizmi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Kushtetuese. Është e qartë që këtë mundësi presidentit ilegalisht ia dhanë krerët e LDK-së që braktisën çdo fjalë të thënë e të dhënë qytetarëve. Kështu në mes të pandemisë u organizuan dhe kompletuan kundër sigurisë së shëndetit publik e qeverisë legjitime. Veprimet e Thaçit qartazi janë në kundërshtim me nenet të cilave ai ju referohet. Kjo tregon se ai dhe stafi i tij nuk i kanë lexuar me kujdes të njëjtat, ose edhe mbase nuk i kanë kuptuar. Nuk është në kompetencën e Thaçit vlerësimi i interesave të partive politike. Kjo që ka ndodhur sot është e paparë më herët dhe rrezikon seriozisht rendin kushtetues. Se zgjedhjet janë opsioni i vetëm pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi është theksuar edhe nga presidenti Thaçi në vitin 2010”, u shpreh Kurti.

    Kurti po ashtu ka përsëritur kërkesën e VV-së për zgjedhje sapo situata me pandeminë të përfundojë.

    “Situata  aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve por sapo të krijohen kushtet pas tejkalimit të pandemisë. Dy herë kam kërkuar përgjigje me shkrim nga Thaçi, akoma nuk kam marrë. Nuk ka asgjë kushtetuese e legjitime në këso veprimesh të presidentit. Nuk ka ai kompetenca për këtë .Duke u munduar të na rrëzojë ne është duke e rrëzuar veten. I kanë mbetur edhe disa muaj mandat dhe po përpiqet ta kapë trenin e fundit. Por i ka ikur”, u shpreh ndër të tjera Kurti. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!