Ka përfunduar takimi mes kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të VV-së, Albin Kurti, parti këto që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit.
Në prononcimin për media pas takimit, kreu i VV-së, Albin Kurti ka thënë se me Mustafën janë dakorduar që menjëherë pas certifikimit të rezultateve të takohen në mënyrë, që brenda 72 orëve të nënshkruajnë marrëveshjen për formimin e Qeverisë së re, shkruan Reporteri.net.
“Me kryetarin e LDK-së në u takuam në të njëjtin kohë kur grupet punuese po punojnë në harmonizimin e programit. Në këtë takim diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u morëm vesh që një orë pas certifikimit të rezultatit të takohemi dhe ta bëjmë marrëveshjen brenda 2-3 ditëve ditëve. Një orë pas certifikimit të rezultateve ne do të takohemi në mënyrë që brenda 72 orëve, apo 100 orëve më së largu ta nënshkruajmë marrëveshjen për qeverinë e re”, u shpreh Kurti ndër të tjera.
Ai konfirmoi se grupet punuese të të dy partive do të vazhdojnë takimet për harmonizimin e programit.
“Do të vazhdojmë takimet mes grupeve tona punuese për harmonizimin e programit qeverisës që deri në këto çaste i ka 26 faqe tekst, kemi dëshmuar një kulturë të re të formimit të qeverisë, me fjalë të tjera u dakorduam për një tempo të re”, përfundoi ai. /Reporteri.net