Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rritjen në nivel të lartë të çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, si shkak i inflacionit.
I pyetur pse ndonëse ka rritje të çmimeve, por jo edhe të pagave, kryeministri Kurti tha se nuk ka ardhur në qeverisje duke premtuar rritje të pagave, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Nuk kam ardhë në qeverisje duke thënë se do të ua rris pagën. Kështu kanë ardhë ata paraprakët, unë kam thënë punë dhe drejtësi. Sa i përket punës, janë… gjatë këtyre dy viteve, 40 mijë vende pune shtesë. Tjerët kanë premtuar 200 mijë, s’i kanë bërë as dy mijë. Janë 40 mijë në këto dy vite me pandemi e inflacion”, ka thënë Kurti në RTV Dukagjini.
Problemin me inflacionin, Kurti e sheh edhe në faktin se në Kosovë ka shumë import. Megjithatë, ai tha se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, e kanë inflacionin më të lartë sesa Kosova.
“Ne vuajmë pasojat që kemi kaq shumë import. Raporti eksport-import, kur unë kam ardhë në qeverisje, ka qenë 1 me 9, sot që po flasim është 1 me 6”.
“Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, e kanë inflacionin më të lartë se Kosova, përveç Shqipërisë. Inflacioni neve na vjen për shkak të importit të energjisë elektrike që mandej reflektohet edhe në të tjera, dhe për shkak të vistrës së gjërë të mallrave që vazhdojmë t’i importojmë”, deklaroi ai.
“Pra, është një pasojë e defekteve strukturore të ekonomisë tonë”, tha kryeministri Kurti. /Reporteri.net/.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.