×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Do të punojmë për të përmirësuar jetën personave me Sindromën Down

    Reporteri
    21 Mars 2021 | 16:48

    Sot në Ditën Botërore të Sindromës Down, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti së bashku me Vjosa Osmanin dhe të tjerë kanë vizituar Qendrën e Down Syndrome Kosova.


    Kurti dhe Osmani patën rastin ta shohin ambientin, dhomat e terapisë dhe të njoftohen me disa fëmijë që angazhohen në ambientet e DSK. Ata po ashtu u informuan me aktivitetet që zhvillohen për t’i fuqizuar personat me sindromën down.

    Kurti theksoi se do të punojnë për t’i fuqizuar sa më shumë personat me sindromën down dhe prindërit e tyre.

    “Ne angazhohemi që të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht sfidave dhe nevojave që ata mund të kenë, ta zhvillojnë një jetë të dinjitetshme në vendin tonë, dhe në këtë drejtim do të shërbejmë e do të jemi bashkëpunëtorët e parë“, tha ai.

    Njoftimi i plotë:

    Sot, në Ditën Botërore të Sindromës Down, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, znj. Vjosa Osmani, deputetet e legjislaturës së re, znj. Arbërie Nagavci e znj. Jeta Statovci, dhe aktivisten politike që për shumë vite është angazhuar në përmirësimin e jetës së grupeve të cenueshme të shoqërisë, themeluesen e shoqatës Down Syndrome Kosova, znj. Leonora Bajraktari-Shabani, vizituan qendrën e Down Syndrome Kosova, ku u pritën nga drejtoresha Ekzekutive, znj. Sebahate Beqiri, anëtarët e bordit, stafi i DSK-së dhe prindërit e fëmijëve me sindromën down.

    Bashkëbisedimit në këtë takim i parapriu një prezantim i qendrës nga drejtoresha, znj. Beqiri, ku z. Kurti dhe znj. Osmani patën rastin ta shohin ambientin, dhomat e terapisë dhe të njoftohen me disa fëmijë që angazhohen në ambientet e DSK. Znj. Beqiri po ashtu na informoi me programet e kësaj qendre, punëtoritë, dhe aktivitetet tjera që zhvillohen për t’i fuqizuar personat me sindromën down.

    Ajo tha se nga institucionet e reja pret përkrahje dhe mbështetje në punën e tyre për shkak se mirëqenia e personave me sindromën down është detyrë dhe përgjegjësi e të gjithë neve. Z. Kurti e falënderoi znj. Beqiri për prezantimin e qendrës dhe punës që zhvillohet aty.

    Duke kujtuar që edhe përmes zotimit për t’u kujdesur e për të ndihmuar sidomos ata që kanë më së shumti nevojë qeverisja e re ka marrë një mandat kaq të fuqishëm, ai theksoi se do të punojmë për t’i fuqizuar sa më shumë personat me sindromën down dhe prindërit e tyre.

    Ne angazhohemi që të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht sfidave dhe nevojave që ata mund të kenë, ta zhvillojnë një jetë të dinjitetshme në vendin tonë, dhe në këtë drejtim do të shërbejmë e do të jemi bashkëpunëtorët e parë, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!