×
  • Lajme
  • Lajme / Zgjedhjet parlamentare

    Kurtit i duhen 10 mijë e 27 vota për ta kaluar Osmanin si më i votuari në Kosovë

    Reporteri
    22 Shkurt 2025 | 12:22

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, në zgjedhjet e 9 shkurtit kur deri tani KQZ ka numëruar 99.96% të votave për kandidat, është më i votuari në vend, shkruan Reporteri.net.

    Kurti është i pari me 290 mijë e 729 vota, pa llogaritur këtu votat e disaporës dhe ato me kusht.

    Por, votat e Kurtit pritet të rriten javën e ardhshme, pasi KQZ ka njoftuar që do të fillojë numërimi i votave të diasporës, atyre me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara, e që janë rreth 80 mijë vota nga diaspora që duhet numëruar, dhe mund ta ‘rrëzojë’, Vjosa Osmanin e cila është më e votuara në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Për ta arritur këtë, Kurtit i duhen saktësisht edhe 10 mijë e 27 vota.

    Osmani në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur kishte garuar në listën e Vetëvendosjes, kishte marrë 300 mijë e 756 vota.

    Në kohën kur zgjedhjet organizoheshin me lista të mbyllura e ku votat që merrte partia i shkonin drejtpërdrejtë liderit të partisë, rekordin e njeriut më të votuar në Kosovë e mbante ish-presidenti historik dhe themeluesi i LDK-së, Ibrahim Rugova.

    Në zgjedhjet e vitit 2001, Lidhja Demokratike e Kosovës arriti që të mbledhë 359 mijë e 851 vota, apo 45.65%, e ku pati 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

    Asokohe Ibrahim Rugova pati lënë prapa Hashim Thaçin dhe PDK-në që morën 202 mijë e 622 vota dhe Ramush Haradinajn me AAK-në që mori rreth 62 mijë vota.

    Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të premten në mbrëmje, se është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime më 9 shkurt. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!