“Kurtit i uroj udhëtim të lumtur në Bruksel”
Kështu u përgjigj presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, rreth deklaratës së kryeministrit kosovar, Albin Kurti, se në Bruksel nuk shkon për të konkluduar çështje teknike si targat, por për marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënive, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Nuk do të isha nisur për Bruksel po të kishte qenë çështja vetëm te targat. Unë shkoj në Bruksel për të konkluduar marrëveshje të përgjithshme”, i ka thënë Kurti gazetës zvicerane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Megjithatë, Vuçiç, shprehet ndryshe. “Kurti mund të shkojë në Bruksel kur të dojë e si do të dojë”, e citoi të ketë thënë agjencioni serb i lajmeve “Tanjug”, shkruan Reporteri.net.
Kjo, tha Vuçiç, “është dëshirë e tij”.
“A ka thënë ai që çështja e statusit [të Kosovës] është e kryer për të, atëherë po e përsëris edhe unë, edhe për mua është e kryer”.
Kjo, duke i referuar Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurimit, që Vuçiç i merr për mantra të tij.
Ndërsa deklaratës së Kurtit, se në Bruksel udhëton për çështje të marrëveshjes së përgjithshme, e cila gjithashtu, sipas tij, duhet të përfundojë në pranverën e vitit 2023, Vuçiç iu përgjigj se “i uroj udhëtim të lumtur në Bruksel”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pritshmëria e tij për takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel ka qenë diskutimi i një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të bazuar në planin franko-gjerman, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Por, sipas tij, ishte Përfaqësues i Lartë i BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ai e cili takimin e reduktoi në çështje targash. “Toti Borrell nguli këmbë që ne të nënshkruajmë vetëm një deklaratë për targa e ta paraqesim si sukses madhor. Kjo është mosmarrëveshja kryesore që kisha me të”, është shprehur ai.
Në dritë të kësaj, Kurti tha se propozim-kompromisin e Borrellit e ka pranuar vetëm e vetëm që të hapet rrugë për vazhdimin e shpejt të negociatave Kosovë-Serbi për marrëveshje.
“Kjo duhet të përmbushet para pranverës së vitit 2023. Kjo ka qenë caku i kompromisit”./Reporteri.net/