Kusari-Lila: Më mirë mjete prej KOSTT-it për rrymën në veri, sesa të na kthehen policët në arkivol

Edhe sot është zhvilluar debat parlamentar për rrymën e shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore. Dy propozim rekomandime sot ka paraqitur Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me pagimin e rrymës për serbët në katër komunat veriore.


Propozimi i deputetes nga Lëvizja Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për dhe 3 kundër, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.

Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri.

Ndërsa, kundër kësaj ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili theksoi se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serb në veri.

Propozimi i dytë i tij ishte që Qeveria tek e fundit të paguaj edhe gjashtë muaj, jo KOSTT.

“Konsideroj se ne duhet ta ruajmë pavarësinë financiare deri në pikën e fundit të njësisë KOSTT dhe barra e përgjegjësisë edhe financiare dhe politike duhet t’i takojë Qeverisë. Në këtë relacion unë i kam shkruar rekomandimet e mia, duke thënë që Qeveria është autoritet i vetëm që mund dhe merr përgjegjësinë për implementim apo mos implementimin e këtyre situatave të krijuara në këtë zonë të ndjeshme”, tha Shala.

Ndërsa, deputetja Kusari Lila theksoi se më mirë është të ndahen mjete prej KOSTT-it për veriun, se sa, siç tha ajo, të dërgohen forca policore dhe të kthehen në arkivol, sikur rasti i policit, tashmë hero, Enver Zymberi.

Ajo tha se Qeveria obligohet që brenda afatit 6 mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për konsumatorët në katër komunat e Kosovës.

“Jemi duke bërë zgjidhje për shtet të Kosovës, për atë çka nuk është bërë deri tash, sepse më mirë është të bëhet zgjidhje sot me mjete që ndahen prej KOSTT-it, se sa, pasi po doni politikë, të dërgohen forca policore e të na kthehen në arkivol, qysh na është kthyer Enver Zymberi. Kjo implikohet. Tërë dita na ka shkuar duke përmend të vdekur në seancë, por ju tregoj edhe këtu ka mundësi. Kjo është çështje e sigurisë”, tha Kusari Lila.

Ndërsa, deputeti nga radhët e AAK-së Pal Lekaj tha se ngarkesa e KOSTT me 11 milionë euro është e pa tolerueshme, sipas të cilit asnjë zgjidhje nuk do të mund të bëj Qeveria për 6 muaj. Lekaj ngriti edhe rrezikun e shkeljes ligjore për këtë veprim të sotëm.

“Në diçka e kam bazuar se KOSTT-i nuk bën me qenë ai që paguan. E kemi një vendim të 2017 ku KOSTT-i ka pranuar nga ZRRE-ja shkresë për njoftimin e zbatimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilës ZRRE-ja i pezullon të hyrat KOSTT-it për mbulimin e humbjeve në veri të Kosovës, të nxjerrë në bazë të raportit të Avokatit të Popullit. Dhe tash ne çka po bëjmë? Nuk është shfuqizuar ky vendim”, thotë Lekaj.

Dje ka raportuar Ministrja e Ekonomisë në këtë Komision e cila ka theksuar ende nuk kanë gjetur mjete për kërkesën financiare të KOSTT.

Ndërsa, drejtues të KOSTT kanë thënë se kanë mjete të mjaftueshme nga të hyrat e tyre për pagesë vetëm e vetëm që të ruajnë anëtarësimin me ENTS-E.

Me 6 vota pro dhe 3 kundër, Komisioni votoi propozimin e deputetes Mimoza Kusari.

Gjithashtu Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot ka shqyrtuar edhe ankesën e ndërmarrjes “Kosova Thëngjilli”, për mos zbatimin e Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike, përkatësisht për lirimin nga renta minerare.

Për këtë çështje kanë raportuar në komisionin drejtues të kësaj kompanie dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Rizvanolli theksoi se nuk ka logjikë ekonomike që renta minerare të faturohet nga KEK-u ndaj “Kosova Thëngjilli”, por sipas saj ky është interpretim i Zyrës Ligjore që të ndodhë një gjë e tillë. Ajo konsideron se që është padrejtësi, por siç tha ajo janë interpretime ligjore se nuk ka shkelje ligjore për këtë veprim.

“Unë nuk jam eksperte ligjore. Unë e kam mendimin e Zyrës ligjore brenda Ministrisë, i cili thotë se nuk po shkelet ligji. Unë për këtë thash që nuk ka logjikë ekonomike, por që nëse duhet të bëhet ndryshim në vendim, duhet të bëhet ndryshim në vendim. Janë ekspertët ligjorë të tregojnë rrugën si të shkohet në mënyrë që t’i mundësohet “Kosova Thëngjilli” që të mos faturohet prej KEK-ut për këtë çështje”, tha Rizvanolli.

Isuf Mehmeti, drejtor menaxhues i “Kosova Thëngjill”, duke arsyetuar ankesën, tha se për mos zbatimin e rentës është e vërtetë se ndërmarrja nga 1 janari kur ka dal ky ligj, nuk është respektuar Ligji për Rimëkëmbjes Ekonomike.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se Ligji është i qartë, dhe lejon të gjitha këto njësi, ndërsa “Kosova Thëngjill” vazhdon të mos përfitojë nga lirimi i rentës. Shala tha se ligji nuk favorizon, siç tha ai vetëm ‘bosët’ e sektorit minerar.

Deputetët e pozitës dhe opozitës ngrenë dyshimin e shkeljeve ligjore në raport të diskriminimit të kompanisë në fjalë. /kp/