Figura publike, gazetarë e politikanë, faqe satirike e kritike të ndjekura nëpër rrjete sociale, janë ankuar javët e fundit se po sulmohen përmes dërgimit të pëlqimeve të blera, nëpër postimet e tyre – kryesisht atyre që janë me përmbajte politike dhe kritike ndaj pushtetit në Kosovë. Gishtin e kanë kthyer ka partia në pushtet, “Lëvizja Vetëvendosje”, duke e akuzuar se kështu po synon t’i diskreditojë dhe t’ua mbyllë llogaritë në rrjete sociale. Gazetarit Vehbi Kajtazi i është bllokuar llogaria për rreth 24 orë, si pasojë e tyre. VV ka heshtur për këto akuza, ndonëse nuk është dëshmuar ndonjë lidhje e tyre me këto veprime. Por, si funksionon blerja e pëlqimeve, pse konsiderohet sulm ndaj zërave kritike, cilat janë efektet e saj dhe a mund të parandalohet?
Në prag të zgjedhjeve parlamentare, nëpër profilet e zërave kritikë kundër pushtetit në Kosovë ka nisur “sulmi” përmes blerjes së pëlqimeve përmes llogarive false, praktikë kjo e njohur dhe e përdorur në Arabinë Saudite qysh në një rast në vitin 2018, e që mund të rezultojë me bllokim të llogarisë e edhe fshirje komplet të faqeve me ndjekës të figurave publike të cilat bëhen cak i tyre.
“Viktima” e parë e këtij sulmi është gazetari Vehbi Kajtazi, të cilit ditë më parë i është suspenduar për rreth 24 orë llogaria e tij në Facebook. Rasti i tij, shqetësoi edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
Sipas gazetarit dhe analistit politik, ky suspendim ndodhi si pasojë e raportimeve të vazhdueshme të bëra ndaj postimeve të tij që lidhen me zgjedhjet, si dhe veprimeve të shumta nga llogari të automatizuara (bots) që e kanë ngacmuar dhe shqetësuar në platformën e tij para dhe gjatë fushatës zgjedhore.
Për këtë, themeluesi dhe drejtuesi i mediumit “Paparaci” ka akuzuar njerëzit e pushtetit qendror në Kosovë.
“Makineria propagandistike e regjimit te Kurtit pati sukses vetëm 24 ore”, shkroi Kajtazi, i cili tutje pretendoi se për t’ia bllokuar llogarinë, janë paguar mbi 6 mijë euro, përmes blerjes së llogarive dhe pëlqimeve të automatizuara dhe false.
“Sulmet e organizuara digjitale nëpërmjet të ashtuquajturve bots dhe raportimeve se gjoja llogarie ime Facebook është gjoja e rrejshme, arritën të më nxjerrin jashtë kësaj platforme për 24 ore. Gjatë ditës së djeshme mësova se një llajk bots kushton 1 euro. Vetëm për këtë sulm kishin paguar rreth 6 mijë euro”, ka shkruar Kajtazi, më 15 janar 2025.
Për blerje të pëlqimeve “fake” nëpër postimet e tyre janë ankuar edhe gazetari Lirim Mehmetaj, politikani Paris Guri, e krijuesi i faqes satirike “Coolnfresh Magazine”, Fisnik Çerkini.
Kryetari i Forumit Rinor të LDK’së, Paris Guri, i ka thënë gazetës online Reporteri.net se blerja e pëlqimeve nëpër postimet e tij dhe të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka filluar që nga dhjetori.
Guri thotë kjo po bëhet me qëllim që të bëhet propagandë se kinse po blejnë pëlqime në rrjete sociale dhe që më pas platformat sociale t’ua mbyllin faqet ku ata numërojnë qindra mijëra ndjekës.
Guri i ka dyshimet se këtë po e bën partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
“Pëlqimet shtohen në postime politike tona. Me këtë synohen dy gjëra: nën një propaganda kinse kemi blerë llajka, dhe e dyta mbyllja e faqeve tona nga ana e Meta-së, pasi që kjo bie ndesh me rregullat e Meta-së. Meqë blerja bëhet në postimet kundër VV-së. Natyrshëm që dyshimet janë te ta”, ka deklaruar Guri.
Edhe Lirim Mehmetaj ka akuzuar publikisht partinë politike “Lëvizja Vetëvendosje”, për blerjen e pëlqimeve të rreme në postimet e tij.
“Postimet po mi mbush [Lëvizja Vetëvendosje] me këta botsat japano-kinezo-tajvaneze. Siç me tregun, ideja është me ia jep pershypjen Facebook-ut qe profili im blen like, po edhe me tentu me i mashtru njerezit me pas duke i reklamu keta botsa ne faqen time”, ka shkruar Mehmetaj në Facebook, më 2 janar 2025.
Përveç profileve personale, blerja e pëlqimeve po bëhet edhe nëpër faqe satirike-humoristike.
Drejtuesit e faqes “Coolnfresh” janë ankuar po ashtu se po u blihen pëlqime nëpër postimet e saj, kryesisht ato që lidhen me kryeministrin Albin Kurti.
“Ka disa ditë që Coolnfreshit janë tu ju ble pëlqimet nga persona të panjohur. Këto blerje bëhen me qëllim të delegjitimizit të faqes në sytë e Facebook dhe Instagram, dhe pastaj në momentin që raportohen nga ndonjë individ apo grup i organizuar, Facebook dhe Instagram te kene arsye ta fshijne faqen. Ju kerkojme me u ndal”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga faqja më 2 janar 2025.
Për akuzat që i janë drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje, gazeta online Reporteri.net ka provuar të marrë një përgjigje nga zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, por i njëjti s’është përgjigjur.
Eksperti i rrjeteve sociale, Dardan Hasku, thotë se ka platforma që kanë bazë të madhe përdoruesish që e ofrojnë këtë shërbim.
Në një bisedë për gazetën online Reporteri.net, Hasku sqaron se si nga këto pëlqime mund të rrezikohen faqet.
“Në rregulloren e Metas, blerja e tillë e pëlqimeve është e ndaluar nga disa kapituj sektorë, por më direkti ndoshta është ai i ‘Inauthentic Behavior’, pra sjellje joorigjinale. Penalizimet mund të përfshijmë ulje të prezencës / reach apo edhe mbyllje të faqes”, thotë Hasku.
Por, cili është qëllimi i blerjes së pëlqimeve, sipas Haskut?
“Për ata që blejnë për vete – rritjen e përceptimit të popullaritetit, pra duan të tregohen sikur kanë më shumë ndjekës e që nuk i kanë. Për ata qe blejnë për të tjerët, dëmtim reputacioni (i paska pëlqimet nga një vend tjetër) si dhe rrezikim potencial të faqes”, thotë ai.
Mënyra e vetme për të parandaluar që dikush të blejë pëlqime nëpër postime, Hasku thotë se është vetëm duke e bërë profilin privat dhe të paqasshëm për të tjerët.
Llogaritë “bots” janë përdorur në Arabinë Saudite qysh në vitin 2018, pas vrasjes së gazetarit Jamal Khasshoggi.
BBC raportonte në atë kohë se si llogari të dyshuara përpiqeshin të formësonin narrativën në media sociale pas zhdukjes së Khashoggit, sidomos në Twitter.
Në këtë platformë bëheshin “hashtags” në mbështetje të Princit të Kurorës, Mohammed Bin Salman, e shkruanin kundër agjencisë së lajmeve “Al Jazeera”, që raportonte për këtë rast. Nga këto llogari bëhej thirrje që të mos ndiqeshin “armiqtë e kombit”.
Twitter kishte pezulluar një numër të madh të këtyre llogarive.
*Ky artikull u realizua nga gazeta online Reporteri.net, në kuadër projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet jo-shumicë në Kosovë II”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.