Një dokument jozyrtar slloven që qarkulloi sot, ngriti të gjithë rajonin në këmbë, pasi parashikon rishikimin e kufijve të gjashtë vendeve të Ballkanit, ndarjen e Bosnjës dhe krijimin e një “Shqipërie të Madhe” dhe po ashtu një “Serbie të Madhe”.
Në Bosnjë dyshojnë se Sllovenia qëndron pas kësaj “patateje të nxehtë”, derisa në Lubjanë pretendojnë se ata nuk janë adresa e duhur për këto pretendime, ndërkohë që kroatët spekulojnë se Serbia dhe Hungaria qëndrojnë pas gjithçkaje, shkruan Reporteri.net.
Kështu, mediumi kroat Jutarnji List, duke cituar burime në Lubjanë, thekson se “ka një mundësi” që kjo të jetë një politikë e mbështetur nga Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Sipas këtij mediumi, përmes kryeministrit solloven, Janez Jansha ata donin të paralajmëronin BE-në se lëvizjet radikale janë të nevojshme në mënyrë që të zgjidhin shpejt krizën ekzistuese në Ballkanin Perëndimor dhe të ofrojnë një zgjidhje që “do të favorizonte maksimalisht Beogradin”.
Në Lubjanë, pretendojnë se Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor përshtatet në atë kornizë në mënyrë të përsosur sepse ai ka marrëdhënie të mira me Janshan që nga viti 2004, kur ai ishte kishte tendenca të hynte në qeverinë e tij të parë, por u ndalua nga partia e tij, Social Demokratët.
Gjithashtu u raportua në media se plani ka mbështetjen e Kroacisë dhe Hungarisë, por në Zagreb pohuan se Kroacia nuk është e përfshirë në këtë rast në asnjë mënyrë”.
Dokumenti jozyrtar shkaktoi një krizë serioze të brendshme në Slloveni. Opozita ftoi Kryeministrin Jansa në një takim dhe Ministria e Punëve të Jashtme konfirmoi se ata as nuk hartuan dhe as nuk dërguan ndonjë dokument në Bruksel.
Dokumenti përmes disa pikave tregon se si mund të duket zgjidhja.
“Në Kosovë, 95 përqind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin origjinal shqiptar. Situata është e ngjashme edhe në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (anëtare e NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent”, thuhet ndër të tjera në dokument.
Aty shtohet se pjesa serbe e Kosovës do të fitojë një status të veçantë, duke ndjekur shembullin e Tirolit të Jugut, një provincë autonome në Italinë veriore, ku shumica e popullsisë flet gjermanisht.
Tutje në dokument propozohet bashkimi i territorit të Republika Srpska me Serbinë.
“Çështja kombëtare serbe mund të zgjidhet kryesisht duke aneksuar një pjesë të Republikës Srpska në Serbi. Në këtë mënyrë, Serbia do të ishte e gatshme të pajtohet me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, thuhet tutje në dokument.
Dokumenti flet edhe për kantonet kroate në Bosnjë, dhe si zgjidhje propozohet bashkimi i shumicës së kantoneve kroate në Bosnjë me Kroacinë ose duke i dhënë një status të veçantë pjesës kroate të Bosnjës, duke marrë shembullin e Tirolit të Jugut në Itali.
“Kjo do t’u jepte boshnjakëve një shtet funksional të pavarur dhe ata do të merrnin përgjegjësinë e plotë për të. Në një referendum potencial, njerëzit do të vendosnin nëse do të bashkoheshin me BE-në ose për një të ardhme jashtë BE-së (duke ndjekur shembullin e Turqisë)”, thekson tutje dokumenti.
Dokumenti vlerëson se pas shpërbërjes së Jugosllavisë, çështjet kombëtare të serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve mbetën të pazgjidhura dhe se aktualisht është e vështirë të imagjinohet perspektiva evropiane e Serbisë dhe Kosovës.
Kështu do të dukej harta e re e Ballkanit, pas një marrëveshje që pretendohet se duhet të bëhet në mes palëve
Anëtarësimi i BiH në BE mund të përjashtohet plotësisht, thuhet në dokumenti.