×
  • Lajme
  • Lajme / Strasburg

    Kush si votoi, lista e plotë e deputetëve të Asamblesë Parlamentare që morën pjesë në votimin e raportit për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Reporteri
    17 Prill 2024 | 9:20

    Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti të martën raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg, shkruan Reporteri.net.

    Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

    Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratua.

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) ka publikuar listën e plotë të delegatëve të vendeve që votuan pro dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

    Prej tyre, 29 ishin kundër dhe kishte 11 abstenime. Për votuan 131 deputetë. Prej 29 deputetëve që votuan kundër anëtarësimit të Kosovës, shtatë ishin nga Serbia, shtatë nga Spanja tre nga Hungaria, dy nga Bosnje Hercegovina, dy nga Qipro një nga Mali i Zi.

    Kjo është lisa e plotë:

    Krerët shtetërorë të Kosovës mirëpritën vendimin e Asamblesë Parlamentare, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit të shtetit për demokraci.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh optimist për një vendim pozitiv në Këshillin e Ministrave në maj. Kurti nga Strasburgu foli edhe për çështjen e Asociacionit..

    Sipas Kurtit, Kosova të martën pati mbështetje masive dhe të thellë, pasi pati debate që u fituan me argument.

    “Jemi optimistë për anëtarësimin në muajin maj dhe njëkohësisht do të angazhohemi që kjo të ndodhë për shkak se në njërën anën tjetër kemi shansin e jashtëzakonshëm, e në anën tjetër nuk ka rast tjetër në historikun e Këshillit të Evropës që Këshilli i Ministrave shpërfillë një këso mbështetje në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, aty ku është demokracia e Këshillit të Evropës, u panë edhe diskutimet që u bënë aty, mbështetja për Republikën e Kosovës, për anëtarësimin e vendit tonë nuk ishte thjeshtë vetëm masive, por ishte edhe e thellë meqenëse edhe debati me argumente u fitua, e jo vetëm me një ngadhënjim me fuqinë e numrave në sallë”, ka thënë ai.

    Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].

    Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Megjithatë, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave në maj.

    Autorja e raportit për Kosovën, Dora Bakoyannis, që është ish-ministre e Jashtme e Greqisë dhe motra e kryeministrit aktual grek, Kyriakos Mitsotakis, në fillim të debatit tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale, duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

    Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

    Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!