Përderisa deputetë të Kuvendit të Kosovës gjejnë arsyetime për të mos mbajtur seancë parlamentare duke u thirrur në rrezikun nga koronavirus, senati amerikan është duke mbajtur seancë që disa orë për të punuar në drejtim të një zgjidhjeje për përkrahjen e bizneseve vendore që ndikohen nga impakti ekonomik i koronavirusit.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka shprehur kundërshtimin e saj të fuqishëm ndaj shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e virusit COVID-19, të cilën e propozoi presidenti Thaçi javën që shkoi. Me gjithë shtimin e rasteve nga dita në ditë dhe kapacitetet e kufizuara të sistemit shëndetësor në Kosovë, kryeministri Kurti një gjë të tillë e ka konsideruar të panevojshme.
Ndërkohë, në New York është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe ushtria amerikane tashmë po patrullon rrugët e këtij shteti. Shkalla e përhapjes së virusit eskaloi pasi nuk ishin marrë masat e duhura me kohë, duke rritur ndjeshëm shifrat e të infektuarve.
Raporte e analiza nga e gjithë bota flasin për pasojat e mos-marrjen e masave dhe kufizimeve të nevojshme për ta parandaluar shpërndarjen e virusit.
Edhe në Hong Kong situata ishte menaxhuar mirë në fillim, duke bërë që numri i rasteve me të infektuar të mos jetë aq i lartë sic pritej. Mirëpo, sipas një artikulli publikuar nga CNN, shihet që në momentin që këto masa kanë nisur të lirohen, ka pasur numër të shtuar të të infektuarve.
Një raport nga Imperial College i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paralajmëron për pasojat e mëdha që do t’i shkaktohen popullsisë në botë nëse mungojnë masat emergjente të izolimit, duke parashikuar shifra të larta të të infektuarve dhe të vdekurve.