×
  • Lajme
  • Lajme

    Kuvendi konfirmon seancën e jashtëzakonshme për nesër

    Reporteri
    14 Janar 2022 | 18:44

    Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se nesër në ora 14:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit ku diskutohet mbi referendumin e Serbisë në Kosovë.

    Kjo seancë vjen pas kërkesës që kryeministri i Kosovës i ka bërë kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca.

    “Rendi i ditës 1. Diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mos lejojë mbajtjen e referendumit serb brenda territorit të Kosovës. Këtij vendimi, përkrahje i kanë dhënë edhe partitë opozitare në vend.

    Me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, nesër në Kuvend duke filluar nga ora 14:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje.

    Nga LDK dhe AAK kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se do të marrin pjesë në këtë seancë.

    Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se do të mundësojë që serbët e Kosovës me dyshtetësi të votojnë në referendumin e së dielës për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë, përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

    Kundër këtij vendimi kanë dalë shtetet e QUINT-it të cilat i kanë kërkuar Kosovës që ta lejojnë mbajtjen e referendumit.

    Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e cilësuan si “hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit” dhe për të rritur transparencën e institucioneve të shtetit dhe sundimit të ligjit, shkruan Reporteri.net.

    “I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, është thënë në reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

    Thirrje për organizimin e këtij referendumi kanë bërë edhe zyrtarët e BE-së dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

    Në grumbullimin e votave për zgjedhjet e Serbisë ka qenë i angazhuar misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!