×
  • Lajme
  • Lajme

    Kuvendi mban seancë të premten, ky është rendi i ditës

    Reporteri
    13 Korrik 2021 | 17:29

    Të premten, më 16 korrik, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të mblidhet në seancë të rregullt plenare.


    Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të kryesuar nga Glauk Konjufca, kryetar.
    Siç thuhet në njoftim, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në këtë seancë do të shqyrtohet Projektligji nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, Projektligji nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), Projektligji nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”, si dhe Projektligji nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.
    Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, si dhe i Projektligjit nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale.
    Në vijim seanca do të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, si dhe pritet të votojë për kërkesën e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni.
    Zgjedhja e tre anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteve jo shumicë, do të jetë pikë e radhës e rendit të ditës në këtë seancë, për t’u pasuar nga propozim-rezoluta nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.
    “Propozimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020, do të jenë pikat e fundit për shqyrtim në këtë seancë plenare.
    Kryesia, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri nismën legjislative “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës”, si dhe formoi delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në Komisionin e përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë.
    Po ashtu, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!