×
  • Lajme
  • Lajme / DOKUMENT

    Ky është draft-statuti i BE-së që iu dorëzua krerëve të shtetit dhe opozitës në Kosovë

    Reporteri
    01 Dhjetor 2023 | 13:05

    Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar dokumentin zyrtar të draft-statutit për Asociacionin që iu dorëzua krerëve të shtetit dhe partive opozitare në Kosovë.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Partia Dmeokratike kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporeti.net se zyrtarisht kanë pranuar nga Bashkimi Evropian një kopje në gjuhën angleze të draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Para se t’u dorëzohet krerëve të opozitës, ky dokument u soll në Prishtinë dhe Beograd gjatë takimeve të “Pesëshes së Madhe” apo përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Italisë, Gjermanisë, Francës dhe BE-së, me 21 tetor me kryeministrin eKosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Dokumenti që është përshkruar nga BE’aj si propozim modern evropian nuk është bërë ende publik zyrtarisht, edhe gjatë interpelancës së 3 nëntorit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti tha se ndërmjetësit kanë kërkuar që të mos bëhet publik draft-statuti.

    “Dje zyrtarisht e kemi pranuar”, tha për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike, Sibel Halimi.

    “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka pranuar versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të njëjtin ua kemi shpërndarë antarëve të Kryesisë, nga të cilët është kërkuar që të bëjnë komentet e tyre. Diskutimi për këtë temë do të mbahet të enjten 7 dhjetor në ora 17:00. Pas komenteve të antarëve të Kryesisë, AAK do të dal me qëndrim publik në lidhje me këtë dokument. Para kësaj date nuk do të prononcohemi për këtë temë”, tha Kushtrim Xhemajli, zëdhënës në AAK.

    “Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”, tha Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së për Reporteri.net.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i pari që publikisht ka thënë se e ka parë draft-statutin për Asociacionin, ndonëse dy partitë tjera opozitare e patën mohuar që e kanë parë atë.

    “Patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit, pra që ta lexojmë në tërësi”. Kjo ishte deklarata e kryetarit të subjektit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

    Lajçak më 7 nëntor u takua në Prishtinë me Haradinajn, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, me të cilët bisedoi për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se në takim, Lajçak ka përsëritur se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, Krasniqi shtoi se “ne, fatkeqësisht, nuk patëm mundësi ta shohim përmbajtjen e tij”.

    Se një dokument i tillë nuk është prezantuar në takim, e pohoi edhe Haziri nga LDK-ja.

    “Besoj që angazhimi i tij [Lajçakut] është për t’u vlerësuar dhe ndarja e kohës për LDK-në dhe partitë e tjera opozitare është për t’u vlerësuar, përkundër që po vazhdojmë të mbahemi, në një formë apo një tjetër, në terr për shkak të moszbardhjes së dokumentit, të mosbërjes transparent së paku në parime dhe angazhime apo në orientime që duhet kryeministri i Republikës, si kryenegociator, t’ia ofrojë deputetëve në çfarëdo forme dhe popullit të Kosovës”, tha Haziri pas takimit të 7 nëntorit.

    AAK-ja, LDK-ja dhe PDK-ja konfirmojnë se kanë pranuar zyrtarisht draft-statutin për Asociacionin

    Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

    Draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes evropiane në Prishtinë gjatë muajit tetor, e ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

    Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

    Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

    Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!