Pas Xhavit Drenorit, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka njoftuar se në këtë parti ka aderuar edhe ish-deputetja Labinotë Demi- Murtezi, e cila dikur ishte pjesë e partisë së Drejtësisë së Ferid Aganit.
Si edhe për Drenorin edhe për Demi-Murtezin, kryetari i VV-së ka vlerësuar aktivitetin qytetar e politik të duke thënë se ish-deputetja po dëshiron të kontribuojë për daljen nga kriza e shtetit dhe për ndryshimet progresiste, të cilat i sheh të mundshme vetëm me Vetëvendosjen.
Për dallim nga Drenori që kishte bashkëpunuar edhe më parë me VV-në pasi ishte pjesë e listë së kësaj partie për deputet që nuk ja doli, Demi-Murtezi në të kaluarën ka pasur “armiqësi” me Vetëvendosjen, shkruan Reporteri.net.
Në seancat e gazit, ajo ishte përplasur keq me deputeten aktuale të VV-së, Albulena Haxhiu të cilën tani e tutje do ta ketë bashkëpartiake.
Demi-Murtezi kishin zhvilluar një debat të nxehtë në korridoret e Kuvendit me deputeten Haxhiu.
Ajo ishte pyetur për këtë përplasje nga mediat dhe kishte dhënë këtë përgjigje.
“Pas provokimeve të shumta në seancën plenare, ndjeja një përgjegjësi morale t’u them kolegëve të opozitës që të mos provokojnë të paktën ne si femra. Pas një takimi të rastësishëm në korridor me kolegen Albulena Haxhiu, edhe ia thashë atë që mendoja. Mirëpo kolegja ime jo vetëm që nuk më mirëkuptoi, por filloi me akuza e ofendime që më detyruan më pas të mendoj që nuk ia vlen”, kishte deklaruar Demi-Murtezi në një intervistë dhënë për mediat në tetor të vitit 2015.
Mbetet të shihet se ç’bashkëpunim do kenë Haxhiu e Demi-Murtezi tashmë si bashkëpartiake. /Reporteri.net/.