×
  • Lajme
  • Lajme / I dërguari i BE-së

    Lajçak: Jam i gatshëm t’i pres palët sërish kur të tregojnë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje

    Reporteri
    15 Maj 2024 | 20:02

    I dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel, i shtati me radhë, nuk është arritur marrëveshje me kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.

    Lajçak në platformën “X” ka shkruar se është i gatshëm t’i presë Bislimin e Petkoviqin prapë kur të tregojnë gatishmëri për të arritur një zgjidhje rreth “dinarit”.

    “Prita për herë të 7-të kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë mbi implikimet e rregullores së BQK-së. Fatkeqësisht, palët nuk arritën të arrijnë marrëveshje. Jam gati të pres përsëri palët nëse ato tregojnë gatishmëri për të arritur një zgjidhje të përkohshme të pëlqyeshme reciprokisht”, ka shkruar ai.

    Bashkimi Evropian tha të mërkurën Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen as pas takimit të shtatë në Bruksel për çështjen e dinarit serb në Kosovë, përdorimi i të cilit u ndalua nga autoritetet kosovare muaj më parë.

    “BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për gjetjen e një marrëveshjeje kompromisi në të ardhmen”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një komunikatë per media pas një takimi trepalësh në Bruksel.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me kryenegociatorin e Serisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të bllokut Mirosllav Lajçak, për herë të shtatë të mërkurën, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

    Bislimi e cilësoi si të dështuar takimin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje. Ndërsa Petkoviq tha se pala kosovare i “refuzoi të gjitha propozimet”.

    BE-ja për takimin mbi dinarin në Bruksel: Palët s’janë të gatshme të bëjnë kompromis për të arritur marrëveshje

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!