×
  • Lajme
  • Lajme / Rundi i shtatë i dështuar

    BE-ja për takimin mbi dinarin në Bruksel: Palët s’janë të gatshme të bëjnë kompromis për të arritur marrëveshje

    Reporteri
    15 Maj 2024 | 19:18

    Bashkimi Evropian tha të mërkurën Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen as pas takimit të shtatë në Bruksel për çështjen e dinarit serb në Kosovë, përdorimi i të cilit u ndalua nga autoritetet kosovare muaj më parë, përcjell Reporterinet. 

    Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova e Serbia s’kanë gatishmëri për të bërë kompromise për të arritur dakordim për çështjen e pagesave kesh në Kosovë, pas dështimit të takimit të shtatë të palëve për çështjen e dinarit.

    Në një deklaratë për media të lëshuar nga zyra për informim e BE-së thuhet se palët kanë tejkaluar disa dallime, por se nuk është arritur dakordim në disa çështje.

    “Në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përkohshme e qëndrueshme për njerëzit më të prekur nga Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operimet cash, Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut Beograd-Prishtinë, ka mbajtur shtatë takime me delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë në mes të 28 shkurtit dhe 15 majit në Bruksel. Gjatë këtyre takimeve, palët kanë paraqitur gjerësisht qëndrimet e tyre dhe kanë hulumtuar mundësitë për të gjetur bazën e përbashkët. BE-ja dha disa ide dhe propozime përgjatë procesit dhe palët arritën të kapërcejnë disa dallime në mënyrë që të sigurojnë flukse financiare nga Serbia në Kosovë, përfshirë marrëveshjen për themelimin e një entiteti të ri biznesor, sipas ligjeve të Kosovës, i ngarkuar me shpërndarjen e përkohshme të ndihmës financiare nga Serbia”, thuhet në komunikatë.

    Megjithatë, sipas BE-së, pavarësisht propozimit të saj “të kompromisit”, palët s’janë dakorduar për “shtrirjen e përgjithshme të aktiviteteve të njësisë së re, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti dhe ndihmën financiare nga Sebria për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë”.

    “Takimi i fundit sot dëshmoi që palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje kompromisi në çështjet e hapura. BE-ja shpreh keqardhje që sot nuk u arrit asnjë marrëveshje. BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për të gjetur marrëveshje kompromisi për të ardhmen”, thuhet në deklaratë.

    Deklarata përfundon me shqetësimin se mungesa e marrëveshjes ka pasoja negative në jetën e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të Kosovës.

    Përfundon takimi për dinarin në Bruksel, Bislimi e cilëson të dështuar

    Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë.

    “Në komentet tona, ne kemi parë se në cilat pika mund të bëjmë kompromise për propozimin e Lajçakut. Te komentet e palës serbe kemi parë tendencë që në shumë pika të largohen nga ai. Kjo e dëshmon atë që e kemi thënë shumë herë më parë: për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!