Lajmërohet nga Praga djali i Haxhi Shalës pasi u bë konsull, i thur lavde vetes

Ka reaguar Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Pragë, Flakron Shala, i cili që nga nata e mbrëmshme ishte kryetemë në vend.


Shala ka thënë se është emëruar Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës sipas ligjit në fuqi me propozim të MPJ-së dhe me dekretim të Presidentit të Kosovës, shkruan Reporteri.

Sipas tij, ai e meriton të jetë në këtë pozitë, për shkak është kuadër i përgatitur mirë dhe i arsimuar në Republikën Çeke.

Shala, tutje ka thënë se profesionalizëm dhe kujdes do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës kudo, në çdo takim, aktivitet apo detyra të Konsullit të Përgjithshëm.

Ai ka folur edhe për babain e tij, Haxhi Shala, vota e të cilit për Qeverinë Hoti thuhet se e bëri konsull. Sipas tij fakti që është djali i një deputeti nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat në Kosovë.

“Nëse unë jam djali i një deputeti dhe ish-pjesëtari të UÇK-së, kjo nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat publik për asnjë shtetas të Kosovës që të emërohet në detyra shtetërore dhe as për mua”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Të nderuar miq, shoqeri civile dhe media të Republikës së Kosovës!

Meqenëse së fundmi disa media e portale kanë etiketuar emërimin tim në pozitën Konsull i Përgjthshëm i Republikës së Kosovës në Republikën Çeke, në shumë raste duke paragjykuar profilin tim, po ju jap këtë sqarim se:

Unë ndihem shumë i nderuar dhe i motivuar që si biri i një ish-ushtari të UÇK-së kam pasur mundësinë që të përfundoj studimet themelore Master dhe jam në përfundim të Doktoraturës në Universitetin VSE (Prague University of Economics) në Republikën Çeke.

Në pozitën Konsull i Përgjitḧshëm i Republikës së Kosovës jam emëruar sipas ligjit në fuqi me propozim të MPJ-së dhe me dekretim të Presidentit të Kosovës. I gjithë ky proces është bazuar në CV-n time dhe përvojën pesë vjeqare në pozitën si Menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në Kompaninë Çeke Elanor a.s. pëfshirë kualifikimin universitar me gradën Master i Ekonomisë dhe PHD- kandidat, drejtimi Teoria e Ekonomisë.

Nëse unë jam djali i një deputeti dhe ish-pjesëtari të UÇK-së, kjo nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat publik për asnjë shtetas të Kosovës që të emërohet në detyra shtetërore dhe as për mua.

Prindi im Haxhi Shala, si një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka as më shumë e as më pak autoritet ligjor e politik se deputetët tjerë- pra deputeti nuk ka kompetencë të emëroj apo shkarkoj zyrtarët e MPJ-së dhe as Konsujt e Përgjitḧshëm.

Jam i nderuar dhe i motivuar që si kuadër i përgatitur dhe edukuar në Republikën Çeke bashkë me përvojën time perëndimore, të përfaqësoj me dinjitet, profesionalizëm dhe kujdes Republikën e Kosovës kudo, në çdo takim, aktivitet apo detyra të Konsullit të Përgjithshëm.

Flakron H. Shala
Pragë 25.11.2020

https://www.elanor.cz/blog/226-kosovo