Në një vodcast të mbajtur në “Radio Romano Avazo”, i realizuar në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë për gazetën online Reporteri.net, u diskutua mbi çështjen e lajmeve të rreme.
Moderatore dhe gazetare e këtij vodcast ishte Gynesh Veshall, e cila po vijon programin e punës praktike në Radio Romano Avazo, në kuadër të të njëjtit projekt. I ftuari i saj ishte gazetari, Jasir Misini.
Gjatë këtij vodcast që u realizua në gjuhen rome, Misini foli për qëllimin e lajmeve të rreme, duke theksuar se ato përdoren kryesisht për propagandë dhe shpesh synojnë të manipulojnë publikun. Ai shtoi se mungesa e edukimit medial në Kosovë bën që shumë njerëz të mos jenë të aftë të dallojnë lajmet e vërteta nga ato të rreme, gjë që e bën sfidën më të madhe për popullatën.
Sipas Misinit, për të dalluar një lajm të rremë, njerëzit duhet të marrin parasysh disa elemente kyçe: “burimi i lajmit, nëse lajmi është postuar edhe nga portale të tjera të besueshme dhe nëse në fund të lajmit është shënuar autori. Këto janë disa nga praktikat më të mira për të identifikuar lajmet e rreme”.
Misini vuri në dukje se të rinjtë janë të ndikuar më së shumti nga lajmet e rreme për shkak të përdorimit të tepruar të mediave sociale, dhe kjo ndikon të gjitha grupet dhe komunitetet pa përjashtim. Ai inkurajoi mediat dhe organizatat të rrisin informacionin dhe trajnimin në edukimin medial, duke theksuar se në Prizren por edhe dhe në Kosovë në përgjithësi, numri i profesionistëve në këtë fushë është i vogël dhe shumë prej tyre po emigrojnë për shkak të kushteve të vështira dhe pagave të ulëta.
Në përfundim, Misini bëri një thirrje për të rinjtë që kanë interes në gazetari, duke u ofruar mundësinë të bashkëpunojnë me radion ku ai punon dhe mediat e tjera. Ai theksoi rëndësinë e hulumtimit të thellë dhe verifikimit të lajmeve para se t’u besohet dhe të krijohet panik nga lajmet e rreme.
*Ky artikull dhe vodcast u realizuan në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”. Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.