×
  • Lajme
  • Lajme

    Radoiçiq dhe Veselinoviq të kërkuar për vrasjen e Ivanoviqit, shfaqen në një festë me kryeministren serbe

    Reporteri
    19 Qershor 2019 | 14:02

    Biznesmenët kontraverzë nga Kosova, Zvonko Veselinoviq dhe kumbari i tij Milan Radoiçiq, të cilët në Kosovë janë të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ishin para dy ditësh mysafirë në festën e organizuar për nderë të ditëlindjes së gazetës serbe”Informer” në Rosiq, fshat në perëndim të Serbisë.


    Në këtë festë mori pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq.

    Në fotografinë që dje u publikua në rrjetet sociale, shihen se si Veselinoviqi dhe Radoiçiqi të buzëqeshur dhe të disponuar ulen në qendër të tendës në mes të zyrtarëve, ndërkohë që aty afër shihet redaktori i Informerit, Dragan Vuçiqeviq dhe folk këngëtari Andrija Era Ojdaniq.

    Gazeta “Informer” tash e disa vite përvjetorin e themelimit e feston në fshatin Rosiq, mirëpo festimet e këtij viti u karakterizuan me faktin se aty morën pjesë edhe përfaqësuesit e opozitës, gazetarë të pavarur si dhe shefja e Qeverisë së Serbisë, Ana Brnabiq, e po ashtu edhe ministri i Energjetikës, Aleksandar Antiq.

    Veselinoviq dhe Radoiçiq  kanë qenë të lidhur me aktivitete të ndryshme kriminale për vite me radhë. Veselinoviq përmendet në Librin e Bardhë të vitit 2001 mbi krimin e organizuar të Policisë Serbe si organizator i grupit që merret me vjedhjen e veturave. Ai u arrestua në vitin 2003 dhe u akuzua për trafikim me drogë, por u lirua. Për Veselinoviqin, publiku dëgjoi për herë të parë në vitin 2011 kur ai organizoi barrikadat në vendkalimet kufitare me Kosovën.

    Në raportin e BIA-s serbe nga ai vit,  të cilin e ka siguruar gazeta KRIK, Veselinoviq etiketohet si udhëheqës i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e drogës, kontrabandë të armëve dhe naftës,si dhe shpëlarjen e parave, përcjell reporteri.net.

    Në biznesin me drogë, citon raporti i BIA- serbe, Veselinoviq kishte punuar ngushtë me kriminelin kosovar Ismet Osmani, i njohur si Curri, i cili së fundmi është arrestuar. Kumbari i tij Radoiçiq furnizohej me drogë nga Osmani dhe e transferonte atë në Serbinë qendrore. Në fund të atij viti, të dy ata u arrestuan në Kopaonik dhe pas disa muajsh burgim ndaj tyre u ngrit aktakuzë, por jo për trafikim me drogë, por për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë marrjes me qira të një kamioni. Pas gjyqit që zgjati tri vite, ata u liruan.

    Radoiçiq  ishte i akuzuar edhe për falsifikim të dokumenteve, dhe ishte duke u ndjekur penalisht dhe për rrëmbim, megjithatë, u lirua nga akuzat. Veselinoviq dhe Radoiçiq gjithashtu ishin dënuar edhe për gërmim të paligjshëm të zhavorrit. Në janar të këtij viti, Veselinoviq u dënua me dy vjet burgim, ndërsa Radoiçiq u lirua. Ky vendim, megjithatë, nuk është përfundimtar sepse duhet konfirmuar nga  Gjykata e Apelit.

    Rasti Ivanoviq

    Për Radoiçiqin, publiku dëgjoi për herë të parë nga  Oliver Ivanoviq, i cili në një intervistë për BIRN, tha se Rdoiçiqi është një qendër informale e pushtetit në veriun e Kosovës.

    Pak muaj pas vrasjes së Ivanoviqit, roli i Radoiçiqit në veriu u formalizua pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, partia më e madhe serbe në Kosovë mbështetur nga Partia Progresiste Serbe.

    Në nëntor të vitit të kaluar, policia e Kosovës arrestoi tre të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit.

    Radoiçiq shmangu  arrestimin – pasi policia nuk e gjeti në shtëpinë e tij në Prishtinë. Edhe pse vetëm një ditë më parë ishte takuar me Radoiçiqin në Beograd, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se ai nuk ndodhej në Serbi, por në Kosovë. Radoiçiq më pas thuhet se u mor në pyetje në policinë serbe, por jo si i dyshuar, por si qytetar, dhe pas marrjes në pyetje Vuçiq i doli në mbrojtje duke thënë se policia mund të pohonte me siguri se Radoiçiq nuk ishte përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit. Në  muajin prill, hetimi për vrasjen e Ivanoviqit në Kosovë, u shtri edhe drejt Veselinoviqit.

    Për zyrtarët në Serbi, megjithatë, këto konsiderohen si akuza të motivuara politikisht. Ata mohojnë afërsinë me Veselinoviqin dhe Radoiçiqin edhe pse fotografitë, në publik dëshmojnë të kundërtën. Dy muaj më parë, KRIK dhe BIRN publikuan fotografi të Veselinoviqit dhe Andrej Vuçiqit, i cili është vëllai i presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Muajin e kaluar, Radoiçiq u shfaq si nënkryetar i Listës Serbe në Parlamentin serb, në seancën ku presidenti serb Vuçiq paraqiti një raport mbi Kosovën. /reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!