Profesori universitar Blerim Latifi ka komentuar vizitën e ambasadorit amerikan, Philipp Kosnett në Lëvizjen Vetëvendosje.
Latifi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se nuk është e vështirë të kuptohen arsyet e vizitës së Kosnettit në LVV.
Sipas Latifit, Kosnett ka shkuar në zyrën e Kurtit për shkak të deklaratave të zyrtarëve të kësaj partie se nuk do ta respektojnë marrëveshjen e Uashingtonit.
“Kosnet i paska shku në zyrë Kurtit. Nuk është e vështirë të kuptohen arsyet: deklarimet e vazhdueshme të zyrtarëve të tij se nuk do ta respektojnë marrëveshjen e Washingtonit, të cilës, siç tanimë dihet, i qëndron prapa edhe administrata e re amerikane. Uroj që Kurti të ketë marrë mësim e të jetë imunizuar nga kjo budallaki e ushqyer vazhdimisht nga broçkullat e internacionalës socialiste dhe të filloj të sillet si kryeministër shqiptar i Kosovës e jo si militant i devotshëm i kësaj internacionaleje”, ka shkruar profesor Latifi.
Mbrëmë, anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria e ardhshme që synohet të krijohet me Albin Kurtin në krye, nuk do të shtyjë përpara pikat e zotimeve të firmosura në Washington nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.