Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas miratimit sot në Kuvend të Ligjit për KPM-në i cili u votuar në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.
Kjo parti thotë se votimet e sotme në sallën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës shpërfaqin tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës.
“Votimet e sotme në sallën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës nga deputetët e partisë në pushtet, të dy ligjeve jetike për organizmin tonë shoqëror, atij të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij të Komisionit të Pavarur të Mediave, shpërfaqin tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës. Kjo praktikë, tanimë e konfirmuar me aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populliste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Tutje, LDK thotë se mospërputhja me direktivat e BE-së për Projektligjin e KPK-së dhe KPM-së është shmangie vlerore e orientimit euro-atlantik të Kosovës.
Në reagimin e tyre, LDK thotë se nuk e pranon dhe toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave.
“Mospërputhja, ndërsa, me direktivat e Bashkimit Evropian, e të dy ligjeve në fjalë, është shmangie vlerore e orientimit tonë euro-atlantik, një praktikë tashmë e zakontë e pushtetit popullist që udhëhiqet nën logjikën e të majtës ekstreme. LDK-ja as nuk pranon e as nuk toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave. Demokracia si vlerë e si praktikë, për ekstremistët e majtë mund të jetë e rëndë, por për Republikën e Kosovës është e shenjtë”, thuhet mes tjerash në reagim.
Kjo parti ka parlajamëruar se tashmë veç kanë nisur hartimin e lëndëve për t’i dërguar në Gjykatën Kushtetuese këto dy ligje.
“Prandaj, që nga sot, ekipet tona punuese, kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë, se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim”.
“Fatkeqësisht për vendin, humbja e kohës për të pasur një reformë të denjë e thelbësore në drejtësi, mbetet e parikuperuar. Ky pushtet, po i përfundon të katër vite qeverisje, në përpjekje antikushtetuese të kapjes së institutioneve, pa ndonjë rezultat konkret e pa ndonjë zhvillim thelbësor në asnjë fushë”, thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
/Reporteri.net/