×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK e Vushtrrisë mblidhet për të përjashtuar nga partia tre asambleistë që u bënë me PDK’në pas zgjedhjeve

    Reporteri
    14 Janar 2022 | 20:07

    Tre asamblistët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Agron Përçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku pritet që sonte të përjashtohen nga partia.

    Kjo pasi të tre, kanë dalë kundër degës së LDK-së në Vushtrri dhe kanë bashkëpunuar me PDK-në për ta zgjedhur kryesuesin e Asamblesë pas zgjedhjeve lokale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Burime të Gazetës Online Reporteri.net bëjnë të ditur se kryesia e degës së LDK-së në Vushtrri është në takim nga ora 19:00, ku edhe pritet vendimi për përjashtimin e tre asamblistëve Përçuku, Bajrami dhe Duraku.

    Reporteri.net kishte raportuar për këtë çështje edhe javën e kaluar, duke njoftuar se këta tre asambleistë, mund të përjashtohen nga grupi i asambleistëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të kësaj komune.

    Agron Përçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku, kanë pranuar të marrin pjesë në votimin e kandidates së PDK-së për kryesuse të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, duke dalë kundër vendimit të degës së LDK-së në Vushtrri.

    Mospjesëmarrja e tyre, do të pamundësonte që PDK përveç kryetarit, post të cilin e fitoi në balotazhin e 14 nëntorit, të ketë edhe kryesuesin e Asamblesë Komunale.

    Kryesuese e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë sot është zgjedhur Melihate Basholli – Latifi, asambleist e PDK-së në këtë komunë. PDK do të ketë dy postet kryesore udhëheqëse në komunën e Vushtrrisë, me kryetar Ferit Idrizin, dhe kryesuese e Kuvendit Komunal, Melihate Basholli – Latifi. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!