×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK inicion takim të përbashkët të opozitës, para një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë

    Reporteri
    11 Prill 2019 | 20:36

    Në adresë të deputetëve të Kuvendit të të gjitha partive, pritet që së shpejti të shkojë ftesa për një takim të përbashkët, iniciuar nga LDK-ja.


    Aty, deputetëve do t’u kërkohen nënshkrimet për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.

    Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ata, si opozitë, i kanë nënshkrimet, por të pamjaftueshme që ta rrëzojnë qeverinë.

    Por, Vetëvendosje po planifikon që ta dërgojë sa më shpejt mocionin në Kuvend, për të parë, sipas deputetes Albulena Haxhiu, kush ku është.

    Kjo, sipas saj, do të shoqërohet edhe me protesta kundër kësaj qeverie, që ajo e ka quajtur të skandaleve.

    Në PSD thonë se nënshkrimet për mocion i kanë të deponuara prej një viti.

    Kryetari i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, tha se kur të sillet mocioni në tavolinë do të shihet se kush saktësisht është, që të rrëzohet qeveria.

    Por, partitë në pushtet nuk po i marrin seriozisht deklarimet e opozitarëve.

    Haxhi Shala, deputet nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se mocionit më shumë po i frikësohet opozita, sesa ata që janë në pushtet.

    E, derisa përplasjet mes pushtetit e opozitës vazhdojnë, Kuvendi i Kosovës ka mbetur prapa me punë.

    Opozitarët, ndërkohë, kanë thënë se institucioni më i lartë ligjvënës ka ardhur deri në këtë situatë, meqë edhe kreu, por edhe vetë deputetët, më shumë u janë përshtatur agjendave partiake sesa punës së Kuvendit. /ktv/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!