Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për Marko Rashiqin, i dënuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka caktuar edhe masën e paraburgimit për të akuzuarin M.R. Me të caktuar masën e paraburgimit, menjëherë është lëshuar aktvendimi për caktimin e masës së paraburgimit dhe i është dërguar Stacionit Policor në Veri për ekzekutim. Nga Stacioni Policor në Veri, gjykata është njoftuar se ka ndërmarr veprime për ekzekutimin e aktvendimit të gjykatës, mirëpo i akuzuari nuk është gjendur në adresën e banimit, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit, duke lëshuar urdhër-arrest për arrestimin e të akuzuarit M.R. dhe dërgimin e tij në qendrën e paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës dhënë për Reporteri.net.
Lidhur me arratisjen e tij, nga policia e Kosovës thanë për Gazetën Online Reporteri.net, se kishte ndodhur një ditë pas shpalljes së vendimit të ekzekutimit të dënimit, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, nuk kishin hasur në të.
“Ditën kur është marrë vendimi ka qenë diku rreth orës 11:00. Neve na kanë sjellur vendimin për ekzekutimin e dënimit. Po atë ditë [ditën kur është marrë vendimi nga gjykata], ne kemi shkuar për ta arrestuar por ai s’ka qenë në shtëpi dhe ne besojmë se ai nuk është në Kosovë”, tha sot Veton Elshani për Reporteri.net.
Më 28 qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykimin në rastin e vrasjes së politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq, kundër pesë personave që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon për ndihmë dhe organizim të atentatit.
Marko Roshiq për veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit penal të organizuar dhe vrasje e rëndë i është shqiptuar dënim me burgim prej 10 vjetësh, ku llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Gjykata këtij të akuzuari i shqiptoi edhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.
Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut. /Reporteri.net/