×
  • Lajme
  • Lajme / Ish-kryetari

    Letra e Kurtit për koalicion me LDK-në, deklarohet Isa Mustafa

    Reporteri
    05 Maj 2025 | 14:04

    Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është deklaruar pas ofertës për bashkëpunim që kryeministri në detyrë dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti i bëri Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

    Ai në një prononcim për gazetën online Reporteri.net, tha se për koalicione vendosë Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie.

    “Për koalicione, sipas Statutit vendos Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së”, tha shkurt Mustafa.

    Ndryshe, sot urti, i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se është i “interesuar” dhe i “vullnetshëm” për koalicion me LDK-në.

    Në këtë letër, Kurti u shpreh  se pavarësisht dallimeve në bindje politike e në politikat qeverisëse, koalicionet “bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”.

    “LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK, në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV. Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus, në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurtin 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe”, thuhej në letrën e Kurtit.

    Po ashtu Kurti tutje në letër tha se  është i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV.

    “Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK. Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, ka shkruar tutje Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!