×
  • Lajme
  • Lajme

    Ligji për Zgjedhjet që përplasi fort Qeverinë me opozitën, ekspertët: Ndryshimet në të janë të nevojshme

    Reporteri
    05 Prill 2021 | 19:00

    Autor: Mirlind Behluli


    Të premtën e kaluar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje propozuan disa ndryshime në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme, në të cilin parashihej krijimi i mundësisë së votimit të diasporës në misionet diplomatike të Kosovës nëpër botë. Por, kjo nismë e deputetëve të pozitës, pak para fillimi të seancës për zgjedhjen e presidentit, u tërhoq një ditë më vonë pasi dështoi miratimi për procedurë të përshpejtuar.


    Në ditën kur pritej të mbahej seanca për Presidentin, 13 deputëtë të LVV-së i paraqitën kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, një projektligj nëpërmjet të cilit parashiheshin ndryshime dhe plotësime në Ligjin aktual për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, gjatë mbledhjes së Qeverisë në të cilin u miratuan ndryshimet në këtë ligj, tha se ndryshimet “janë në funksion të garantimit të drejtës së votës për të gjithë qytetarët”, përcjellë Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Në të njëjtën logjikë të argumentimit ishin edhe deputetët e shumtë të pozitës.

    Por krejt ndryshe reagoi opozita e shoqëria civile, të cilët thanë se propizimi pa konsulta paraprake gjithëpërfshirëse nga Qeveria, ishte hap i gabueshëm, ndonëse pajtoheshin se duhej reformuar përmbajtja e ligjit.

    Madje reagimi i opozitës, në krye me Partinë Demokratike e Lidhjen Demokratike, ishte i ashpër.

    “Në vend se qeveria të merret me vaksinimin e qytetarëve, menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike, Kurti shkakton krizë politike duke rrezikuar vendin të shkojë serish në zgjedhje në kohë pandemie”, tha Enver Hoxhaj, shkruan Reporteri.net.

    Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, e cilësoi këtë propozim si shantazh ndaj opozitës.

    “LDK është treguar konstruktive në lidhje me zgjedhjen e presidentit të vendit. Me këtë veprim që bëri sot Kurti dëshiron të krijoj destabilitet politik”, tha Abdixhiku, shkruan Reporteri.net.

    E pasi nuk mori votat e mjaftueshme për të vazhduar me procedurë të përshpejtuar drejt miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme dhe pasi LDK e bëri të qartë se pa heqjen dorë nga ndryshimet në ligjin për zgjedhje nuk do të merrte pjesë në seancën për presidentin, LVV e tërhoqi këtë iniciativë ligjore.

    Por çfarë përbante projektligji i propozuar nga grupi më i madh parlamentar?

    Ndryshimet e propozuara nga LVV

    Në projektligjin e prezantuar nga deputetët e VV-së e të miratuar nga Qeveria Kurti kishte disa ndryshime duke përfshirë përkufizime të reja e riformulime të tërësishme të neneve të ligjit për zgjedhje.

    Ndryshimi kryesor i propozuar ishte ai që u lejonte pjesëtarëve të diasporës me nënshtetësi kosovare të votonin në misione diplomatike të Kosovës nëpër botë.

    “Çdo shtetas i Republikës së Kosovës ka të drejtë të votojë në Kosovë në ditën e zgjedhjeve, në zonën zgjedhore ku ai apo ajo është i regjistruar dhe jashtë Kosovës në Ambasada ose Konsullata të Kosovës me kusht që emri i tij apo i saj paraqitet në Regjistrin Qendron Civil ose është regjistruar si votues i Kosovës në një datë të caktuar nga KQZ-ja”, thuhej në projektligjin e propozuar, shkruan Reporteri.net.

    Një ndryshim tjetër ishte riformulimi i propozuar i neni 29 të ligjit të tanishëm që flet për përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje.

    Në propzim thuhej se përmbajtja e tanishme e këtij neni të riformulohet si në vijim “i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim, në tri vitet e fundit”.

    Pra nga i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtat të gjykatës në tri vitet e fundit, projektligji theksonte se duhej të jetë i dënuar me një ose më shumë vjet burgim.

    Ky ndryshim i propozuar nga LVV, nga analistë u interpretua si hapje e rrugës për kandidim të Kurtit në zgjedhjet e reja në rast se dështon votimi për president.

    Çfarë thonë ekspertët?

    Reporteri.net ka konsultuar juristët rreth nevojës për ndryshime të ligjit për zgjedhje të përgjithshme dhe propozimeve të prezantuara nga VV në projektligjin tanimë të tërhequr.

    Florent Muçaj, profesor në Universitetin e Prishtinës e njohës i së drejtës kushtetuese, tha për Reporteri.net, se në vend të ndryshimit të ligjit do të ishte e udhës hartimi i një ligji të ri për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

    Sipas tij, problemet e ligjit në fuqi më së miri u shpërfaqën në rastin e ish-deputetit Ethem Arifi, i cili kishte marrë pjesë në zgjedhjen e Qeverisë Hoti ndonëse ishte i dënuar me burgim.

    “Megjithatë, duke pasur parasysh problemet e sistemit tonë zgjedhor, të cilat më së miri janë shpërfaqur me rastet të cilat janë trajtuar në Gjykatën Kushtetuese, sidomos rasti Etem Arifi, i cili e humbur rëndësinë e të drejtës për tu zgjedhur, ka ardhur koha që Kosova të mendoj seriozisht për një ligj të ri zgjedhor. Kjo nuk nënkupton vetëm plotësimin dhe ndryshimin e ligjit aktual të zgjedhjeve, por hartimin e një ligji të ri, i cili do të përcaktonte qartësisht një model tjetër proporcional dhe do të jetësonte një reformë zgjedhore”, tha profesor Muçaj për Reporteri.net.

    Edhe juristi Armend Shkoza, tha se ligji për zgjedhjet duhet të ndryshohet duke theksuar se neni 29 i këtij ligji në të cilën përcaktohet përshtatshmëria ligjore e kandidatit ka sjellur paqartësi të madhe.

    Madje sipas tij nëpërmjet ndryshimeve duhet të rishqyrtohet roli i PZAP-së dhe procedurat e ndjekura pranë Gjykatës Supreme.

    “Po ashtu, paqartësi të mëdha kishte sjellu edhe dispozita e Nenit 29 e cila më pas ishte bërë objekt edhe e vlerësimit kushtetues sa i përket pasojës juridike të realizimit të të drejtave zgjedhore si rrjedhojë e sanksionit penal të shqiptuar në një procedurë penale. Rrjedhimisht, amendamentet e propozuara kanë përfshirë ndryshimin e dispozitave aktuale të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, të cilat janë tejet diskutabile dhe që janë të nevojshme që të pësojnë ndryshim përmbajtësor, sa i përket sferës së tyre të rregullimit ligjor”, tha Shkoza për Reporteri.net.

    Por Muçaj dhe Shkoza tërheqin vëmendjen se ndryshimet në ligjin zgjedhor duhet të bëhen pas konsultimeve të gjëra me opozitën e shoqërinë civile.

    “Në dritën e ndryshimeve të mundshme në Kosovë, duhet theksuar se Komisioni i Venecias në kodin e praktikës së mirë zgjedhore tërheq vërejtjen se ndryshimi i ligjit zgjedhor nuk duhet të jetë i shpeshtë (1 vit para zgjedhjeve) si dhe ky ndryshim nuk duhet të duket se është i diktuar nga interesat konjukturale politike. Me qëllim që sistemi zgjedhor të mos varet nga interesat konjukturale politike, disa shtete kanë përcaktuar se për të ndryshuar ligjin zgjedhor, parlamenti duhet të votojë me një shumicë të kualifikuar (2/3 ose 3/5), siç është rasti i Shqipërisë. Kjo formulë kërkon që për ta bërë ndryshimin patjetër duhet një konsensus i forcave politike parlamentare, në nivelin e shumicës së kualifikuar”, tha Muçaj, shkruan Reporteri.net.

    Në anën tjetër, Shkoza thotë se çdo tentim që konsultimi i gjërë rreth ligjit për zgjedhje të anashkalohet, është shmangie nga parimet demokratike.

    “Mirëmbajtja dhe kultivimi i një shoqërie demokratike nuk është vetëm çështje formale, përkundrazi, është çështje përmbajtësore. Çdo tentim që konsultimi i gjërë të margjinalizohet në procedura formale, do e kishte zhveshur një proces të tillë nga tiparet demokratike, aq më shumë për një sistem ligjor i cili mëton të sigurojë shprehjen e vullnetit popullor përmes realizimit të të drejtave zgjedhore, qoftë kjo nga këndi aktiv apo pasiv i domethënies së kësaj të drejte nga aspekti material”, tha Shkoza për Reporteri.net.

    Kujtojmë që ligji për zgjedhje rregullon sistemin zgjedhor, financimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve, njohjen dhe mbrojtjen e votës e kriteret e pranueshmërisë së votave, regjistrimin e partive politike e certifikimin e subjekteve politike.

    Tutje ligji përcakton edhe përgjegjësitë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e Komisionit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa.

    Në ditën që LVV tërhoqi propozimet për ndryshimin e ligjit për zgjedhje të përgjithshme, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, theksoi se reforma elektorale është e domosdoshme pasiqë ligji për zgjedhje nuk u ndryshua nga viti 2008.

    Pasi VV tërhoqi projektligjin nga Kuvendi u krijuan kushtet për vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit nga ku Vjosa Osmani mori votat e nevojshme për ta udhëhequr presidencën për 5 vitet e ardhshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!