Ish polici, Dejan Pantiq i cili dyshohet se ka organizuar sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor është liruar nga arresti shtëpiak, pas deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar Ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla, i cili lirimin e Pantiqit e ka cilësuar si sabotazh nga institucionet e drejtësisë ndaj punës që po bëhet në luftimin e krimit.
“Policia arreston terroristët, këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani. Sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë”, ka reaguar Sveçla në Facebook.
Dejan Pantiqi lirohet nga arresti shtëpiak me 30 mijë euro dorëzani
Sipas Ministrit Sveçla, institucionet e drejtësisë po tregohen “neglizhente” dhe “moskokëqarëse” ndaj punës së palodhshme të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Inteligjencës.
“Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëqarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës. Puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”, tha ai.
Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor në pikën kufitare në Jarinjë, në Veri të Kosovës. Arrestimi i tij bëri që serbët në veri të vendosin barrikada.
Më 12 dhjetor, atij iu caktua masa e paraburgimit dhe deri më 28 dhjetor ai qëndroi në objektin policor në Jarinjë, pa pasur mundësi që të dërgohet në qendër të paraburgimit.
Atij më pas, për shkaqe shëndetësore, iu ndryshua masa e sigurisë – nga paraburgim në arrest shtëpiak. /Reporteri.net/.