×
  • Lajme
  • Lajme

    Lirohet nga akuza se falsifikoi 126 vota

    Reporteri
    08 Dhjetor 2023 | 23:00

    Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Besmir Mustafa, i cili po akuzohet për falsifikimi të rezultateve të votimit.

    Mustafa në cilësinë e kryesuesit të komisionit zgjedhor në fshatin Celinë, Komuna Rahovec, ngarkohet se kishte regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, duke regjistruar 126 vota, prej tyre 68 vota të shtuara dhe 58 vota të hequra, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi ndaj Mustafa u shpall të premten, nga gjykatësi Ilir Rashkaj.

    Kundër këtij aktgjykimit, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh. Kurse, Mustafa lirohet nga shpenzimet gjyqësore.

    Sipas aktakuzës së përpiluar në nëntor të vitit 2022, Prokuroria Themelore në Gjakovë e ngarkonte Besmir Mustafen se pas mbylljes së vendvotimeve pas orës 19:00/h, duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij lidhur me zgjedhjes ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

    Në aktakuzë thuhej se i pandehuri ditën kritike, ishte i autorizuar nga KQZ si kryesues i komisionit zgjedhor në vendvotimin që gjendej në shkollën filllore “Faik Konica” në fshatin Celinë, Komuna Rahovec.

    Tutje sipas aktakuzës thuhet se pas numërimit të votave në Formularin e Rezultateve të kandidatëve si dhe pas rinumërimit të votave në kundërshtim me nenin 102 paragrafi 2 te Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ka regjistruar në mënyrë jo të saktë votat e kandidatëve, duke regjistruar 126 vota, prej tyre 68 vota të shtuara dhe 58 vota të hequra, me ç’rast me gjithsej 126 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet e përgjithshme.

    Me këtë Mustafa ngarkohej se ka kryer veprën penale “falsifikimi i rezultateve te votimit:” nga neni 216 paragrafi 1 i Kodit Penal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!